Mbrëmje me emocione të forta në ndeshjet e kthimit të play-off-it të Champions League, ku Sabah Baku, LASK dhe Bodo/Glimt siguruan kualifikimin për fazën e ligës së kompeticionit më prestigjioz europian.
Historia më e madhe u shkrua në Azerbajxhan, aty ku Sabah Baku realizoi një përmbysje spektakolare ndaj Hapoel Beer Sheva-s. Azerbajxhanasit ishin me një këmbë jashtë Championsit në minutën e 93-të, kur rezultati ishte 2-2 dhe izraelitët po avanconin pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë.
Në minutat shtesë, Mutallimov shënoi golin e jashtëzakonshëm të 3-2, duke e çuar sfidën në kohën shtesë. Më pas, kartoni i kuq i Diop në minutën e 100-të i dha avantazh Sabahut. Mbina dhe Mickels shënuan brenda pesë minutash, ndërsa Hapoel mbeti me nëntë lojtarë pas daljes me të kuq edhe të Peretzit në minutën e 117-të. Në fund, Sabah triumfoi 5-2 pas shtesave dhe siguroi për herë të parë në histori pjesëmarrjen në grupet e Champions League.
Klubi nga kryeqyteti Baku, i themeluar vetëm në vitin 2017, e nisi aventurën europiane që në fillim të korrikut dhe kaloi katër raunde për të mbërritur deri këtu.
Bodo/Glimt, kualifikim pa probleme
Më e qetë ishte situata për Bodo/Glimt, që pas fitores 3-1 në ndeshjen e parë mposhti sërish NEC Nijmegen, këtë herë me rezultatin 3-0.
Norvegjezët patën një avantazh numerik që në minutën e tretë, pas daljes me karton të kuq të Crettaz. Në fundin e pjesës së parë, Bjorkan dhe Auklend shënuan dy gola brenda pak minutash, ndërsa autogoli i Fonville në pjesën e dytë vulosi fitoren e vendasve.

LASK, përmbysje e pabesueshme ndaj Celtic
Një nga surprizat më të mëdha erdhi në Austri. LASK përmbysi në mënyrë spektakolare Celtic, pavarësisht humbjes 0-3 në ndeshjen e parë në Glasgow.
Celtic kaloi në avantazh me McGregor pas 21 minutash, por LASK reagoi menjëherë. Pas barazimit në pjesën e parë, austriakët shpërthyen në fraksionin e dytë dhe me golin e Flecker në minutën e 90-të e çuan rezultatin në 4-1, duke barazuar shifrat e përgjithshme dhe dërguar sfidën në shtesë.
Aty heroi u bë amerikani Adeniran, i cili me një goditje të saktë nga jashtë zonës shënoi golin e dytë personal dhe vulosi fitoren 5-1. LASK siguron kështu për herë të parë në histori kualifikimin në fazën e kampionatit në Champions League.
