TV LIVE
Nga Bota
24 August 2026
35-vjetori i pavarësisë së Ukrainës, Zelensky mesazh Putinit: Humbët një flotë, rafineri dhe një brez të tërë!

Ukraina shënon sot 35-vjetorin e rivendosjes së pavarësisë, ndërsa Kievi ka pritur një sërë liderësh evropianë, të cilët kanë mbërritur në kryeqytetin ukrainas për të marrë pjesë në ceremonitë e përvjetorit. Në Kiev kanë mbërritur Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, kryeministri britanik Andy Burnham, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden, presidentja e Moldavisë Maia Sandu dhe presidenti i Estonisë Alar Karis. Lajmin e bëri të ditur ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, i cili publikoi edhe pamje nga mbërritja e delegacioneve në stacionin hekurudhor të Kievit.

Vizita e liderëve evropianë zhvillohet në një periudhë të tensionuar për Ukrainën, ndërsa lufta me Rusinë vijon dhe sulmet ruse ndaj territorit ukrainas janë intensifikuar. Në të njëjtën ditë, Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë shtesë prej 6.1 miliardë eurosh për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës. Fondet do të përdoren për furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore, raketa, municione dhe radarë. Sipas BE-së, kjo shumë i shtohet rreth 16 miliardë eurove të ndihmës së miratuar më parë për Ukrainën, nga të cilat 8.35 miliardë euro janë disbursuar tashmë. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Evropa do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën përballë intensifikimit të sulmeve ruse.

Zelensky: Putin shpreson se jemi të lodhur
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përdorur një ton të ashpër ndaj homologut rus Vladimir Putin gjatë mesazheve për përvjetorin e pavarësisë. “Putini shpreson që jemi të lodhur. E dimë që ai është i vdekshëm”, deklaroi Zelensky, duke argumentuar se udhëheqësi rus nuk e ka kuptuar kurrë Ukrainën dhe popullin e saj. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt Putinit, Zelensky tha se Rusia synonte të merrte të gjithë Ukrainën, por sipas tij ka paguar një çmim të rëndë në luftë, duke humbur kapacitete ekonomike dhe ushtarake.

Presidenti ukrainas deklaroi gjithashtu se Moska kishte synuar ta fshinte Ukrainën nga harta, ndërsa sot, sipas tij, Rusia po humbet ndikimin në rendin ndërkombëtar. Në ditën e 35-vjetorit të pavarësisë, Ukraina synon të përcjellë një mesazh uniteti dhe qëndrueshmërie, ndërsa prania e liderëve evropianë në Kiev dhe paketa e re e ndihmës së BE-së nënvizojnë mbështetjen politike dhe ushtarake të Evropës për vendin në kushtet e luftës.



Të ndryshme
Më shumë