TV LIVE
Nga Rajoni
22 August 2026
“Liria ka Emër” vendos “Orën e Pritjes” për krerët e UÇK-së

Platforma “Liria ka Emër” ka vendosur në Prishtinë “Orën e Pritjes”, 25 ditë para 16 shtatorit, datë kur pritet vendimi final për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në ceremoninë e vendosjes së ekranit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se “Ora e Pritjes” është simbol i pritjes së familjeve dhe gjithë Kosovës.

“Ky ekran këtu është simbol i pritjes sonë në Prishtinë. Por ekranet e ngjashme do të vendosen gjithandej Kosovës. Sepse këtu janë më shumë se ekrane. Janë një mesazh për familjet që presin, për ata që janë në Hagë dhe për gjithë botën që Kosova nuk harron”, tha Hamza.

Ndërkaq, nënkryetarja e Prishtinës, Besiana Musmurati, tha se deri më 12 shtator do të zhvillohen aktivitete të ndryshme në kuadër të pritjes për kthimin e krerëve të UÇK-së.

“Kjo orë s’ka me i matë veç ditët. Kjo orë ka me na kujtu çdo mëngjes e çdo mbrëmje se pas çdo dite që kalon, një popull po pret”, tha Musmurati.

Ajo shtoi se më 12 shtator qytetarë nga gjithë Kosova pritet të mblidhen në Prishtinë, ndërsa aktivitetet do të përfshijnë ligjërata në shkolla, aktivitete në sheshe, seminare me studentë dhe ekspozita.

Ndërsa Ismail Tasholli tha se shpreson që më 16 shtator “ora e mbrapsht” të fillojë mbarë.

“Ne po shpresojmë që me 16-tin shtator ora e mbrapsht do të fillojë mbarë, sepse kjo shoqëri ka nevojë për orët e bardha”, tha ai.



Të ndryshme
Më shumë