TV LIVE
Nga Vendi
20 August 2026
Kaos në kufirin Maqedoni e Veriut–Serbi, “Safe City” krijon kolonë 15 km: Mijëra udhëtarë në pritje

Mijëra udhëtarë, mes tyre familje me fëmijë, janë përballur me pritje të gjata në pikën kufitare të Tabanocit, në dalje nga Maqedonia e Veriut drejt Serbisë, ku kolona e automjeteve raportohet se ka kaluar 15 kilometra.

Qarkullimi është zhvilluar me ritme tepër të ngadalta, ndërsa në segmente të caktuara automjetet kanë qëndruar të palëvizura për më shumë se 20 minuta. Situata është bërë edhe më e vështirë për shkak të temperaturave të larta.

Vonesat lidhen me nisjen e zbatimit të sistemit “Safe City” edhe për automjetet me targa të huaja që largohen nga Maqedonia e Veriut. Sistemi evidenton në mënyrë automatike kundërvajtjet dhe gjobat e regjistruara në trafik.

Kontrollet dhe verifikimi i të dhënave në dalje të vendit kanë shtuar kohën e përpunimit të automjeteve, duke krijuar ngushtime në pikën kufitare dhe radhë kilometrike.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë kolona të gjata automjetesh, ndërsa udhëtarët ankohen për pritjet dhe mungesën e informacionit mbi kohën që nevojitet për kalimin e kufirit.

Drejtuesit e mjeteve që planifikojnë të udhëtojnë drejt Serbisë përmes Tabanocit këshillohen të informohen paraprakisht për situatën dhe, kur është e mundur, të përdorin pika alternative deri në normalizimin e qarkullimit.



Të ndryshme
Më shumë