TV LIVE
Nga Bota
20 August 2026
Aksident ajror në Pensilvani, avioni përplaset me helikopterin e policisë, një person humb jetën

Një person ka humbur jetën dhe dy oficerë të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë janë plagosur pas përplasjes në ajër të një avioni të vogël me një helikopter policie, në mbrëmjen e së mërkurës.

Ngjarja ndodhi në Aeroportin Carlisle, në Qarkun Cumberland të Pensilvanisë. Sipas Administratës Federale të Aviacionit (FAA), në përplasjen u përfshinë një avion i tipit Cessna 150 dhe një helikopter Bell 407 i Policisë Shtetërore.

Viktima është piloti i Cessna-s, i cili dyshohet se ishte personi i vetëm në bord. Ai humbi jetën në vendngjarje.

https://twitter.com/i/status/2090255204214055171

Dy pilotët e helikopterit, pjesë e njësisë elitare të aviacionit të Policisë Shtetërore të Pensilvanisë, mbetën të plagosur. Autoritetet bëjnë me dije se ata nuk janë në rrezik për jetën.

Sipas informacioneve paraprake, helikopteri me bazë në Harrisburg po zhvillonte një stërvitje rutinë në aeroport dhe qëndronte pezull disa metra mbi tokë, në një zonë me bar.

Në atë moment, avioni i vogël Cessna 150 u afrua nga pas dhe u pozicionua pranë njërës prej pistave. Për arsye që ende nuk janë përcaktuar, avioni ndryshoi drejtim në momentin e fundit dhe goditi helikopterin nga pas.

Pas përplasjes, helikopteri u përmbys dhe u rrëzua në tokë. Të dy pilotët fillimisht mbetën të bllokuar brenda tij, por më pas arritën të dilnin.

Në vendngjarje mbërritën zyrtarë të FAA-së, ndërsa hetuesit e Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit (NTSB) nisën punën gjatë natës për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.

Hetimi pritet të fokusohet te manovrat e avionit të vogël, komunikimi mes ekuipazheve dhe kushtet e sigurisë në aeroport në momentin e përplasjes.



Të ndryshme
Më shumë