TV LIVE
Nga Rajoni
19 August 2026
PDK-ja edhe sot bllokon hyrjen e Qeverisë, kësaj here i bashkohen edhe prodhuesit vendorë

Disa prodhues vendorë i janë bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës në aksionin e zhvilluar në hyrjen e Qeverisë së Kosovës, për të pestën ditë me radhë.

Abedin Ramadani, i cili merret me prodhimin e drithërave dhe sektorin e qumështit, ka deklaruar se kriza institucionale po e rëndon gjendjen e prodhuesve, të cilët siç thotë ai, po përballen me kosto të larta në treg.

“Deklaratat dhe sulmet e papërgjegjshme nga eksponentët e qeverisë në detyrë po e dëmtojnë drejtpërdrejt besimin e qytetarëve dhe të prodhuesve vendorë. Kur e humbim besimin, dëmi nuk i bie vetëm kompanisë, por dëmtohet fermeri, punëtori, familja e tij dhe krejt zinxhiri i prodhuesve”- ka deklaruar Ramadani.

Para mediave, ai tha se prodhuesit vendës po dëmtohen shumë nga mbyllja e Kuvendit.

Kur vendi është në bllokadë, sipas tij, askush nuk merret me seriozitet me hallet e tyre, ‘nuk ka debat për mbështetjen e prodhuesve, për subvencionet, tregun dhe mbrojtjen e prodhimit vendor’.

Ai kërkoi nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që Kuvendi i Kosovës të konstituohet.

“Z. Kurti, konstituojeni Kuvendin. Lejojini deputetët të hyjnë në sallë dhe të flasin për problemet reale që qytetarët, fermerët, bizneset përballen. Situata është e jashtëzakonshme, nëse kjo gjendje vazhdon, për shumë prodhues vendorë falimentimi po bëhet rrezik real”, deklaroi ai.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, që nga 13.08.2026 po mban aksione para hyrjes së Qeverisë së Kosovës, ku po kërkojnë nga Kurti që të shkojë në Kuvend dhe bashkë me deputetët e partisë së tij të mundësojë konstituimin e këtij institucioni.

Kriza rreth konstituimit të Kuvendit ka vazhduar edhe pas tejkalimit të afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në aktgjykimin e 26.06.2025, Gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese.

Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.

Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja.

Më 18.08.2026 Albin Kurti i LVV-së dhe Lumir Abdixhiku i LDK-së kanë mbajtur takim për të gjetur një emër konsensual për president të vendit. Pas takimit kanë deklaruar se në takimin e radhës do të flasin për emra konkretë.



Të ndryshme
Më shumë