BDI përmes një kumtese akuzoi se VLEN është projekt politik i ndërtuar mbi mashtrim dhe se bashkimi i paralajmëruar i disa partive në një subjekt politik nuk është realizuar plotësisht.
Nga BDI thonë se, pavarësisht paraqitjes së VLEN si subjekt i bashkuar politik, në Regjistrin Qendror ende ekzistojnë parti të veçanta. Si shembull përmendet Lëvizja BESA, për të cilën theksohet se vazhdon të ketë statusin e një partie aktive, me Bilall Kasamin si kryetar me autorizime të pakufizuara.
Sipas BDI-së, emri VLEN përdoret për përfaqësim politik dhe propagandë, ndërsa partitë, udhëheqësit dhe strukturat e tyre vazhdojnë të funksionojnë veçmas.
Nga BDI shtojnë se VLEN para qytetarëve është paraqitur si ndryshim politik, por në vend të kësaj ka sjellë “degradim” dhe ulje të ndikimit të faktorëve politikë shqiptarë.
BDI pretendon gjithashtu se bëhet fjalë për një projekt politik që ka për qëllim ndarjen e votës politike shqiptare dhe zvogëlimin e peshës së saj politike. Në kumtesë hapen pyetje edhe për mënyrën e funksionimit, financimit dhe mbështetjes politike të VLEN.
Nga BDI vlerësojnë se pas bashkimit të paralajmëruar politik qëndrojnë interesa të veçanta dhe se qytetarëve, sipas tyre, u është paraqitur një pamje e një subjekti të vetëm politik që nuk përputhet me gjendjen në Regjistrin Qendror.