TV LIVE
Nga Bota
17 August 2026
SHBA-ja paralajmëron izolim "të paprecedentë" ekonomik të Iranit - çfarë mund të nënkuptojë kjo?

Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po premton një fazë të re të presionit ekonomik ndaj Iranit, ndërsa sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka sugjeruar se Uashingtoni ditëve të ardhshme do të njoftojë masa të papara më parë për izolimin ekonomik të një vendi.

Se cilat do të jenë këto masa mbetet e paqartë. Por, ekspertë me të cilët foli Radio Evropa e Lirë thanë se një veprim vërtet i paprecedentë mund të nënkuptojë kalimin përtej një rundi tjetër sanksionesh ndaj kompanive iraniane dhe goditjen e rrjeteve ndërkombëtare financiare dhe tregtare që i kanë mundësuar Teheranit të vazhdojë të shesë naftë, pavarësisht dekadave të presionit amerikan.

Kjo mund të përfshijë bankat kineze, pagesat në juan për naftën iraniane, sistemet alternative të pagesave, si dhe kompanitë e transportit, sigurimit, rafinimit dhe ndërmjetësit financiarë që qëndrojnë pas këtij tregtimi.

“Mbani sytë këtu për më shumë njoftime javën e ardhshme, sepse do të zbatojmë masa siç nuk janë parë kurrë më parë në historinë e izolimit ekonomik të një vendi”, tha Bessent, në një intervistë më 13 gusht, për Newsmax. Ai tha se masat do të jenë pjesë e një “goditjeje me dy hapa”, së bashku me vazhdimin e bllokadës së porteve të Iranit.

Trump i përforcoi këto deklarata të nesërmen, duke shpërndarë në Truth Social një raport të Newsmax për to.

Shtëpia e Bardhë ka dhënë pak detaje. E pyetur më 14 gusht për masat e pritshme, zëdhënësja Karoline Leavitt tha se “kemi në dispozicion mjete të tjera që mund t’i përdorim për të vazhduar ndëshkimin e Iranit dhe paralizimin e ekonomisë së tij, e cila tashmë ndodhet në një gjendje shumë të dobët”.

Administrata thotë se Irani po përballet me inflacion në rritje, të ardhura më të ulëta nga energjia, varfëri dhe qasje të kufizuar në valutë të huaj. Një vlerësim i Pentagonit, i cituar nga The Hill, konstatoi se faza e parë e bllokadës amerikane, nga 13 prilli deri më 18 qershor, i kushtoi Iranit rreth 4.8 miliardë dollarë të ardhura nga nafta.

Pyetja tani është se ku mund të ushtrojë Uashingtoni presion që nuk e ka provuar tashmë – dhe nëse masat që do të marrë mund të ndryshojnë llogaritjet e Teheranit.

Goditja e kanaleve financiare jetike

Elaine Dezenski, drejtuese e Qendrës për Fuqinë Ekonomike dhe Financiare në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington, i tha Radios Evropa e Lirë se një mundësi potencialisht e fuqishme do të ishte goditja e juridiksioneve dhe institucioneve financiare që lehtësojnë pagesat për naftën e sanksionuar iraniane.

Ajo përmendi vende si Hong Kongu dhe bankat që mund të jenë të lidhura me transaksione që përfshijnë naftë të sanksionuar, ndërsa njëkohësisht mbështeten te aktiviteti në dollarë ose euro dhe marrëdhëniet korrespondente me institucionet financiare perëndimore.

Një veprim i tillë do të përqendrohej te ato që Dezenski i quajti “nyjet e lehtësimit financiar” që mundësojnë funksionimin e tregtisë.

Një tjetër mundësi, tha ajo, mund të përfshijë përdorimin e një neni të Patriot Act, përmes të cilit Uashingtoni potencialisht mund të identifikojë disa transaksione për naftën iraniane të shlyera në juanë kinezë, si transaksione që përbëjnë një shqetësim parësor për pastrimin e parave.

Tregtia e naftës iraniane po lidhet gjithnjë e më shumë me mekanizma pagesash jashtë sistemit tradicional financiar perëndimor. Transaksionet mund të shlyhen në juanë dhe të kalojnë përmes sistemeve alternative, përfshirë Sistemin Kinez të Pagesave Ndërbankare Ndërkufitare, ose CIPS, dhe Sistemin Rus për Transferimin e Mesazheve Financiare, i njohur si SPFS.

Për Dezenskin, shitjet e naftës iraniane dhe rritja e infrastrukturës alternative financiare po bëhen pjesë e të njëjtit problem. Ajo tha se kjo tregti ndihmon në forcimin e shlyerjeve në juanë dhe të sistemeve të pagesave jashtë sistemit perëndimor, duke kontribuar potencialisht në një përpjekje më të gjerë për të zvogëluar rolin e dollarit në transaksionet globale të energjisë.

“Besoj se në këtë fazë të dyja po funksionojnë vërtet në koordinim”, tha ajo.

Brett Erickson, ekspert i sanksioneve në kompaninë amerikane Obsidian Risk Advisors, tha se një masë do të dallohej nga sanksionet që Uashingtoni ka vendosur deri më tani.

“Vendosja e sanksioneve ndaj bankave kineze do të përfaqësonte një nivel krejtësisht tjetër përshkallëzimi”, tha ai për Radion Evropa e Lirë. Departamenti i Thesarit, tha Erickson, prej kohësh e di se ka një ndikim të tillë në dispozicion, por ka shmangur përdorimin e tij për shkak të pasojave të mundshme anësore për Shtetet e Bashkuara dhe sistemin financiar global.

“Nëse Bessent synon të realizojë izolim ekonomik në një shkallë që vërtet nuk e kemi parë më parë, këtu do të shikoja së pari”, tha Erickson.

Kina dhe kufijtë e përafrimit

Kina ka qenë blerësi kryesor i naftës së sanksionuar iraniane, duke e bërë atë thelbësore për aftësinë e Teheranit për të gjeneruar të ardhura. Por Dezenski, bashkëautore e librit "Boshti i Agresorëve" (Axis of Aggressors), paralajmëroi kundër trajtimit të marrëdhënieve ekonomike mes Kinës, Iranit, Rusisë dhe Koresë së Veriut si një aleancë të pathyeshme.

Bashkëpunimi është “real dhe me pasoja”, tha ajo, por është gjithashtu oportunist. Kina ka interes të blejë naftë iraniane, por duhet të marrë parasysh marrëdhëniet e saj shumë më të mëdha ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe tregjet e tjera perëndimore.

Nafta iraniane përbën një pjesë relativisht të vogël të importeve të Kinës dhe mund të zëvendësohet, tha ajo. Kjo mund të kufizojë shkallën e rrezikut që Pekini është i gatshëm të marrë për të mbrojtur Teheranin.

“Ka një pikë në të cilën përafrimi ekonomik vërtet fillon të çahet”, tha Dezenski.

Ajo përmendi masat e mëparshme amerikane ndaj rafinerive të pavarura kineze, të ashtuquajtura "çajniku" (teapot), të përfshira në blerjen e naftës iraniane. Pekini kundërshtoi publikisht sanksionet, por rregullatorët kinezë të bankave më vonë udhëzuan bankat e mëdha shtetërore të ndalonin kreditimin e rafinerive të prekura, tha ajo.

Kjo tregon se sanksionet amerikane mund të kenë pasoja edhe kur Kina i kundërshton ato publikisht, tha ajo.

Hapi i ardhshëm mund të jetë shqyrtimi i ekosistemeve më të gjera rreth këtyre rafinerive, përfshirë strukturat korporative, kompanitë që zotërojnë asetet dhe bizneset e tjera të përfshira në rafinimin dhe shpërndarjen e produkteve të naftës.

“Sanksionet ndaj rafinerive ‘teapot’ kanë ndikim”, tha Dezenski.

Megjithatë, ndërprerja e aktivitetit të një rafinerie ose bllokimi i një ngarkese nafte është diçka tjetër nga çmontimi i të gjithë rrjetit. Nafta iraniane mund të lëvizë përmes një rrjeti tregtarësh, anijesh, kompanish, rafinerish, ndërmjetësish financiarë dhe siguruesish. Presioni ndaj një pjese të këtij sistemi mund të nxisë përpjekje për shmangie diku tjetër.

Dezenski tha se qasja më e mirë do të ishte shumëplanëshe, duke shqyrtuar bankat, transportin detar, sigurimet detare dhe infrastrukturën e pagesave në të njëjtën kohë, në vend që të mbështeteshin në një mjet të vetëm të ri sanksionesh.

Ekziston edhe një shqetësim afatgjatë. Ndërsa më shumë institucione financiare lidhen me sisteme si CIPS, Uashingtoni mund të përballet me një sfidë në rritje ndaj aftësisë së tij për të përdorur qasjen në sistemin e bazuar në dollar si mjet presioni. Dezenski tha se për këtë arsye mund të ketë kuptim strategjik ndërhyrja ndaj kësaj infrastrukture ndërsa ajo është ende në zhvillim.

A mund të sjellë dhimbja ekonomike rezultate?

Pyetja më e vështirë është nëse edhe një përshkallëzim i paprecedentë do ta detyronte Teheranin të pranonte kërkesat e Uashingtonit.

Barry Pavel, ish-drejtor i lartë për politikën dhe strategjinë e mbrojtjes në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, i tha Radios Evropa e Lirë se, megjithëse nuk e di se çfarë masash po përgatit Bessent, fushatat e sanksioneve shpesh bëhen gradualisht më të ashpra në vend që të arrijnë menjëherë shtrirjen e tyre maksimale.

Pavel theksoi se po spekulonte kur diskutonte masa të mundshme, si kufizime më të gjera ndaj tregtisë dhe financave. Irani, tha ai, ka kaluar dekada duke mësuar se si t’u shmanget sanksioneve, ndërsa lidhjet e tij më të ngushta me Kinën dhe Rusinë mund të krijojnë rrugë të tjera për t’i anashkaluar kufizimet e ardhshme.

Iranianët blejnë fruta dhe perime në një treg në veri të Teheranit. (Foto nga arkivi).

Iranianët blejnë fruta dhe perime në një treg në veri të Teheranit. (Foto nga arkivi).

Më e rëndësishmja, Pavel vuri në pikëpyetje nëse shkaktimi i vuajtjeve të gjera ekonomike do të ndryshonte domosdoshmërisht llogaritjet e udhëheqësve iranianë.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Iranit në forma të ndryshme që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979. Një përshkallëzim i madh mund të shkaktojë dëme shumë më të mëdha, tha Pavel, por nuk është e qartë nëse kjo do të përkthehej në lëshimet diplomatike që kërkon Uashingtoni.

“Nuk jam i sigurt për këtë”, tha ai.

Udhëheqja e Iranit e ka përcaktuar prej kohësh veten përmes rezistencës, argumentoi Pavel. “Ata nuk kanë nevojë të fitojnë. Nuk kanë nevojë t'i mposhtin Shtetet e Bashkuara. Thjesht duhet të mbijetojnë dhe t’ia dalin ta zgjasin rezistencën ndaj Shteteve të Bashkuara derisa Shtetet e Bashkuara, e dini, sipas këndvështrimit të tyre, të largohen”, tha ai.

Kjo e bën qëndrueshmërinë një pjesë qendrore të ekuacionit. Pyetja është se sa dhimbje mund të përballojnë popullsia dhe udhëheqja para se ata që janë në pushtet të vendosin se kostoja është tepër e lartë.

Pavel tha se do të preferonte një qasje më të synuar, të përqendruar te vendimmarrësit dhe te gjërat që ata vlerësojnë më shumë. Presioni i gjerë ekonomik, paralajmëroi ai, mund t’u shkaktojë kosto të mëdha iranianëve të zakonshëm pa ushtruar presion të krahasueshëm mbi elitën politike.

Ai vuri në pikëpyetje nëse vuajtje të tilla do t’i bindnin vendimmarrësit iranianë të ndalonin përdorimin e Ngushticës së Hormuzit si mjet presioni dhe të hiqnin dorë nga ambiciet e tyre bërthamore, siç kërkon administrata Trump.

Garë kundër kohës?

Erickson bëri një dallim të ngjashëm mes dobësisë ekonomike dhe cenueshmërisë politike.

“Irani mund të përballojë një sasi të jashtëzakonshme dhimbjeje ekonomike”, tha ai. Popullsia mund të varfërohet ndjeshëm dhe ekonomia mund të përkeqësohet në mënyrë të thellë, ndërsa qeveria mbetet në pushtet.

Për Ericksonin, testi vendimtar është nëse qeveria e humb aftësinë për të ruajtur kontrollin.

Kjo krijon një kontradiktë në strategjinë amerikane, tha ai. Uashingtoni ka nevojë për presion ekonomik për të dobësuar marrëdhënien mes popullit iranian dhe qeverisë, por presioni nga një kundërshtar i jashtëm mund të forcojë nxitjen për t’u rreshtuar pas shtetit.

“Ne kemi shpenzuar burime të jashtëzakonshme duke u përpjekur ta bëjmë Iranin ekonomikisht të cenueshëm, ndërsa njëkohësisht kemi bërë pothuajse gjithçka të mundshme për ta bërë popullsinë e tij politikisht të qëndrueshme”, tha Erickson.

Ai argumentoi gjithashtu se Uashingtoni ka nevojë për më shumë sesa një pikë tjetër presioni: ka nevojë për kohë.

Çdo javë gjatë së cilës tregjet globale mund të përballojnë ndërprerjet e flukseve të energjisë, rritjen e kostove të transportit dhe paqëndrueshmërinë më të gjerë i jep presionit ekonomik më shumë kohë për të ndikuar te Irani. Por, nëse pasojat ekonomike për pjesën tjetër të botës bëhen të padurueshme më parë, tha Erickson, strategjia mund të dështojë pavarësisht nga shtrirja e masave.

“Nëse pjesa tjetër e botës arrin pikën e saj të thyerjes para Teheranit, nuk ka rëndësi se sa gjithëpërfshirëse është lufta ekonomike, strategjia dështon".



Të ndryshme
Më shumë