TV LIVE
Nga Vendi
30 July 2026
Ilire Dauti e bllokoi foltoren e Kuvendit pasi Mickoski nuk iu përgjigj pyetjes së saj, ministrat qeshën

Deputetja e Lidhjes Shqiptare, Ilire Dauti disa herë reagoi në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski dhe të gjithë Qeverisë, duke thënë se ai prej disa javësh nuk i përgjigjet pyetjes së saj parlamentare, për këtë ajo tha se nuk do të largohet nga foltorja derisa kryeministri të përgjigjet. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi dha pauzë dhe seanca do vijojë më vonë, raporton Portalb.mk.

Pasi deputeti dhe lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i parashtroi pyetje Mickoskit, kryeministri iu përgjigj atij dhe përsëri e injoroi Dautin. Para se Gashi t’i jepte fjalën Filipçes nëse ishte i kënaqur me përgjigjet e marra, Ilire Dauti sërish doli në foltore, ndërsa shërbimet nuk ia aktivizuan mikrofonin.

“Unë sot nuk do të largohem nga kjo foltore derisa të marr përgjigje për pyetjen që e kam parashtruar herën e kaluar. Ose do të dilni këtu dhe do të jepni përgjigje, ose kjo seancë sot nuk do të vazhdojë më tej“, tha Dauti

Në mënyrë procedurale kërkoi fjalën deputeti Rijad Shaqiri nga Aleanca për Shqiptarët.

Gashi nuk kishte çfarë të bënte, pasi Dauti nuk lëvizte nga foltorja. Në ndihmë i erdhi lideri Zijadin Sela, i cili qëndroi pranë saj për ta mbështetur.

Ndërkohë, ministri i Kulturës Sedat Sulejmani, ministrja e Financave Gordana DimitrieskaKoçoska dhe anëtarë të tjerë të Qeverisë që kishin ardhur në seancën e sotme për pyetjet e deputetëve, filluan të qeshnin.

I nervozuar, Gashi dha pauzë prej gjysmë ore, me arsyetimin se duhej “të qetësohej deputetja“.

Pas pauzës, vijuan kërkesat për fjalë procedurale. Fatmir Bytyqi nga LSDM-ja akuzoi se kryeministri qëllimisht nuk u përgjigjet pyetjeve të deputetëve, me qëllim që të krijojë problem dhe të bllokojë edhe këtë seancë, e cila mbahet çdo të enjte të fundit të muajit.

Pas tij, sërish Dauti kërkoi fjalën për reagim procedural dhe përsëri për të njëjtën çështje. Gashi për herë të dytë e ndërpreu seancën, këtë herë deri në orën 14:00.

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot po mbahet seanca e 113-të plenare, e fundit për pyetjet e deputetëve para se deputetët të shkojnë në pushim vjetor.



Të ndryshme
Më shumë