TV LIVE
Nga Bota
28 July 2026
Ukraina godet Moskën me mbi 390 dronë para takimit Zelenskyy–Trump

Ukraina ka ndërmarrë një sulm masiv me dronë gjatë natës ndaj rajonit të Moskës, vetëm disa orë përpara takimit të paralajmëruar mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas kryetarit të Moskës, Sergei Sobyanin, më shumë se 390 dronë kanë fluturuar drejt rajonit të kryeqytetit rus nga ora 20:30 deri në 06:30 të mëngjesit. Ai theksoi se shumica e tyre janë neutralizuar nga mbrojtja ajrore përpara se të arrinin në qytet, ndërsa 81 mjete ajrore pa pilot janë shkatërruar teksa i afroheshin Moskës, raportojne mediat botërore.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit të Moskës, Andrey Vorobyov, raportoi se sulmet kanë shkaktuar dëme në banesa në qytetin Chekhov dhe në fshatin Vaulovo.

Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm diplomatik, pasi pritet një takim mes Zelenskyyt dhe Trumpit, pas një periudhe të tensionuar në marrëdhëniet mes tyre. Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë në tetor të vitit 2025, Zelenskyy nuk arriti të bindë Trumpin për furnizimin e Ukrainës me raketa Tomahawk, ndërsa më vonë pati edhe përplasje publike mes tyre.

Megjithatë, javët e fundit është vërejtur një zbutje e toneve. Në një takim të zhvilluar në Turqi, Trump e vlerësoi liderin ukrainas për punën e tij, duke e cilësuar si “të jashtëzakonshme”. Ai gjithashtu njoftoi planet për të lejuar Ukrainën të prodhojë raketa të mbrojtjes ajrore Patriot, për t’u përballur me sulmet ajrore në rritje nga Rusia.

Ndërkohë, mbështetja për Ukrainën është rritur edhe nga disa figura të njohura pranë lëvizjes MAGA në SHBA, ndërsa javën e kaluar Zelenskyy u takua me emisaret e Trumpit për të diskutuar rifillimin e përpjekjeve diplomatike, të cilat janë bllokuar që nga shpërthimi i luftës SHBA-Izrael në Lindjen e Mesme në muajin shkurt.



Të ndryshme
Më shumë