TV LIVE
Nga Vendi
27 July 2026
"RRËNJËT TONA’", NJË UDHËTIM NË HISTORINË, KULTURËN DHE TRASHËGIMINË E KËRÇOVËS!

Në kuadër të projektit "Rrënjët tona", fëmijët përjetuan një eksperiencë të veçantë, duke u njohur nga afër me historinë, kulturën dhe trashëgiminë e pasur të Kërçovës. Aktivitetet nisën me vizitën në Muzeun e Kërçovës, ku fëmijët patën mundësinë të njihen me historinë e qytetit, objektet arkeologjike, veshjet tradicionale dhe pasurinë kulturore që dëshmon jetën dhe traditat e brezave ndër shekuj.
Më pas, ata vazhduan drejt restorantit "Kalaja", ku, përveç njohjes me trashëgiminë e gastronomisë kërçovare, u bënë pjesë e një përvoje unike. Me ndihmën e stafit të restorantit, i cili ruan dhe promovon gatimet tradicionale kërçovare, fëmijët u shndërruan në "kuzhinierë" të vegjël, duke përgatitur disa nga ushqimet karakteristike të gjysheve të tyre. Në të njëjtin ambient, përmes pikturës, ata shprehën imagjinatën dhe dashurinë për peizazhet e bukura të vendlindjes së prindërve të tyre. Në kuadër të programit treditor u realizua edhe një vizitë te treni i vogël "Qiro", ku fëmijët u njohën me historinë dhe rëndësinë që ai kishte pasur për Kërçovën në vitet e hershme. Interes të veçantë ngjalli edhe vizita në Kalanë e Kërçovës, e njohur në legjendat popullore si Kalaja e Kitës. Aty, përmes një loje edukative me hartë dhe gjëegjëza, fëmijët arritën të zbulonin simbolikisht "thesarin", duke mësuar njëkohësisht për historinë e kësaj fortese të lashtë. Programi vijoi me vizitën në Manastirin e Shën Gjergjit në Knezhinë, ku pjesëmarrësit u njohën me historinë, arkitekturën dhe vlerat shpirtërore të këtij monumenti të rëndësishëm. Më pas, ata vizituan edhe Shtëpinë e Artit ku fëmijët e ardhur nga mërgata u njohën me krijimtarinë artistike dhe vlerat kulturore që kultivohen në këtë hapësirë. Në përmbyllje të projektit, me synimin që secili pjesëmarrës të ruajë një kujtim të bukur nga kjo përvojë, u shpërndanë fotografi të përbashkëta dhe mirënjohje individuale për secilin prej 22 fëmijëve pjesëmarrës, të grupmoshave të ndryshme. Projekti kishte për qëllim të ushqejë te fëmijët e diasporës dashurinë, krenarinë dhe lidhjen e tyre me rrënjët, historinë dhe trashëgiminë kulturore të vendlindjes.
Ky projekt u realizua me mbështetjen e Komunës së Kërçovës, në kuadër të programit "Kërçova – Qyteti i Kulturës 2026". Ai la mbresa të veçanta te të gjithë pjesëmarrësit, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e ruajtjes, kultivimit dhe promovimit të trashëgimisë kulturore te brezat e rinj si një urë që i lidh ata me identitetin dhe rrënjët e tyre.



Të ndryshme
Më shumë