TV LIVE
Nga Bota
27 July 2026
Mbi 250 mijë të evakuuar nga zjarret e mëdha në Francë e Spanjë

Zjarret masive pyjore në jugperëndimin e Francës dhe në pjesë të Spanjës, janë duke u përhapur me shpejtësi, çka ka detyruar evakuimin e mbi 250,000 banorëve. Erërat e forta dhe temperaturat e larta e kanë vështirësuar tej mase punën e ekipeve zjarrfikëse, ndërkohë që flakët po i afrohen qytetit të Bordosë në Francë.

Në rajonet Gironde dhe Landes në Francë, janë evakuuar rreth 200,000 qytetarë. Për t’i bërë ballë situatës, autoritetet kanë anëtarësuar ushtrinë në operacionet e shuarjes së zjarreve. Presidenti Emmanuel Macron do të mbajë një mbledhje urgjente me ministrat, pasi në vend janë ende aktive rreth 30 vatra zjarri.

Autoritetet njoftojnë se zjarri është afërsisht 40 deri në 50 kilometra larg Bordosë, me tym që ka mbuluar qytetin dhe ka shkaktuar shqetësime te banorët.

Në Spanjë, gjendja mbetet kritike, por ndryshimet në kushtet atmosferike kanë ndihmuar pak në ngadalësimin e zjarreve rreth Madridit. Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se vendi po kalon “momente të vështira”, por ka shprehur besimin se zjarret mund të vihen nën kontroll.

Autoritetet spanjolle raportuan viktimën e parë të zjarreve, një burrë rreth 70 vjeç që humbi jetën në zonën e Valencias kur u gjet i pafrymë në makinën e tij gjatë operacioneve të shuarjes së flakëve.

Që nga fillimi i vitit, Spanjës i janë djegur rreth 130,000 hektarë tokë, ndërsa në Francë rreth 98,000 hektarë. Situata ka bërë që etapa finale e garës Tour de France të reduktohet për të lejuar forcat e sigurisë të fokusohen në zonat e prekura nga zjarret.

Bashkimi Evropian ka aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile për të mbështetur Francën, ku do të marrin pjesë avionë zjarrfikës nga Kroacia dhe Portugalia, helikopterë nga Çekia dhe Sllovakia, si dhe ekipe speciale nga Rumania.

Komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, ka paralajmëruar se Evropa mund të përballet me sezonin më të rëndë të zjarreve në histori, ndërkohë që valë të reja të të nxehtit pritet të lehtësojnë shpërthimin e zjarreve të reja në javët e ardhshme.



Të ndryshme
Më shumë