TV LIVE
Teknologji
24 July 2026
Google shton videon selfie si një mënyrë të re për hyrjen në llogari

Google po shton një alternativë të re për verifikimin e identitetit: përdoruesit do të mund të hyjnë në llogarinë e tyre përmes një videoje selfie.

Kjo mënyrë mund të jetë veçanërisht e dobishme në rastet kur nuk keni akses në telefonin apo kompjuterin që përdorni zakonisht, ose kur jeni bllokuar jashtë llogarisë dhe metodat e tjera të hyrjes nuk funksionojnë.

Si funksionon?

Për ta aktivizuar, përdoruesi duhet fillimisht të regjistrojë një video selfie në seksionin Security & sign-in të llogarisë Google. Nëse kompjuteri ka kamerë, procesi mund të bëhet direkt aty. Në të kundërt, Google gjeneron një kod QR që mund të skanohet me telefon për të përfunduar regjistrimin. Gjatë procesit, përdoruesi duhet të heqë syzet ose maskën dhe këshillohet të jetë në një ambient pa shumë njerëz apo elementë në sfond. Google kërkon gjithashtu që përdoruesi të lëvizë kokën në drejtime të caktuara. Sipas kompanisë, kjo shërben për të provuar se personi është realisht përpara kamerës dhe për të reduktuar rrezikun e mashtrimeve me video të manipuluara apo deepfake.

Po privatësia?

Videoja selfie ruhet nga Google për t’u krahasuar gjatë hyrjeve të ardhshme në llogari. Kompania thotë se videoja do të jetë e enkriptuar dhe do të përdoret vetëm për qëllime verifikimi. Përdoruesit mund ta fshijnë atë në çdo moment nga cilësimet e llogarisë. Aktualisht, funksioni nuk është i disponueshëm për llogaritë Google Workspace, llogaritë e fëmijëve dhe përdoruesit e regjistruar në programin Advanced Protection. Me këtë opsion të ri, Google po zgjeron mënyrat e hyrjes pa fjalëkalim, duke përdorur gjithnjë e më shumë biometrinë për sigurinë dhe rikuperimin e llogarive.



Të ndryshme
Më shumë