TV LIVE
Nga Bota
21 July 2026
SHBA-ja me valë të re sulmesh kundër Iranit

Ushtria amerikane tha se ka kryer një valë të re sulmesh ndaj Iranit, me synimin për t’ia dobësuar më tej aftësitë për të sulmuar anijet në Ngushticën e Hormuzit.

Sulmet, të cilat shënuan natën e dhjetë radhazi të operacioneve ushtarake, erdhën pasi presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua se do ta ndëshkojë Iranin për vrasjen e ushtarëve amerikanë.

Më herët, Trump tha se Irani është goditur “shumë rëndë” një natë më parë, “në nderim” të tre ushtarëve amerikanë të vrarë së voni – dy në Jordani dhe një në Irak.

Në përgjigje të sulmeve të fundit, Irani goditi dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, si dhe objekte ushtarake amerikane në Bahrejn dhe Kuvajt, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve IRNA.

Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian, tha se vendi i tij tashmë po zhvillon një “luftë të plotë” me Shtetet e Bashkuara.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) njoftoi, gjithashtu, se kishte në shënjestër infrastrukturën e kompanisë amerikane Amazon në Bahrejn.

Sipas mediave shtetërore iraniane, infrastruktura qendrore e të dhënave e kompanisë u godit dhe u shkatërrua me disa raketa lundruese.

Teherani konfirmoi po ashtu se, pavarësisht dështimit të armëpushimit, mes palëve vazhdon shkëmbimi i mesazheve diplomatike, përmes ndërmjetësve.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi në rrjetin X se sulmet e fundit kishin në shënjestër qendra të komandës ushtarake iraniane, kapacitete detare, pozicione për lëshimin e raketave dhe dronëve, si dhe sistemet e mbrojtjes ajrore.

Sipas CENTCOM-it, anijet tregtare kanë vazhduar të kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në një postim në rrjetin Truth Social më 20 korrik, pas vdekjes së tre pjesëtarëve të ushtrisë amerikane gjatë fundjavës, Trump shkroi:

“Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, do të paguajë shumëfish për atë vrasje”.

Ai shtoi se këtë “urdhër” ia ka përcjellë sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, si dhe udhëheqësve ushtarakë.

https://truthsocial.com/@realDonaldTrump/116953296612438865



Të ndryshme
Më shumë