Në pamje të parë, filmi “Odiseja” nga regjisori Christopher Nolan është historia që njohim: Odiseu (Matt Damon) përpiqet të kthehet në Itakë pas Luftës së Trojës, i penguar nga perëndi, përbindësha, ishuj të largët dhe vite të humbura. Ai ndeshet me ciklopin, gjigantë kanibalë, përbindësha dhe kalon shtatë vite në ishullin e nimfës Kalipso, përpara se të rikthehet më në fund te Penelopa (Anne Hathaway) dhe djali i tij, Telemaku (Tom Holland).Por në versionin e Christopher Nolan, qëndron një hije tjetër: frika nga të ashtuquajturit Popujt e Detit. Gjatë filmit, Odiseu i përmend disa herë. A kanë sulmuar? A janë afër brigjeve të Itakës? A është populli i tij i sigurt? Nëse nuk njeh kontekstin historik, këto pyetje mund të duken si një detaj i shtuar nga Nolan për të krijuar tension. Por në fakt, “Popujt e Detit” në histori është emri që studiuesit përmendin për grupe misterioze që përmenden në burime egjiptiane dhe që lidhen me fundin e Epokës së Bronzit në Mesdheun lindor. Nuk dihet saktësisht kush ishin: një grup fisesh, një qytetërim më i organizuar, sulmues, refugjatë apo njerëz të zhvendosur nga konflikte të tjera.