Trofeu i Kupës së Botës FIFA është një nga simbolet më të njohura të sportit botëror, por pak njerëz e dinë historinë e artistit që e krijoi atë. Skulptori italian Silvio Gazzaniga projektoi trofeun ikonik që prej vitit 1974 ngrihet nga kampionët e botës, duke e shndërruar veprën e tij në një simbol të përjetshëm të futbollit.
Gjithçka nisi pasi Brazili fitoi Kupën e Botës për herë të tretë në vitin 1970, duke fituar të drejtën ta mbante përgjithmonë trofeun e vjetër Jules Rimet. FIFA organizoi një konkurs ndërkombëtar për krijimin e një trofeu të ri, ku morën pjesë 53 projekte nga artistë të vendeve të ndryshme. Fitues u shpall 50-vjeçari nga Milano, Silvio Gazzaniga.
Në studion e tij në lagjen Brera të Milanos, Gazzaniga krijoi një dizajn që paraqet dy figura njerëzore të cilat ngrihen drejt globit tokësor. Sipas djalit të tij, Giorgio Gazzaniga, artisti realizoi qindra skica përpara se të gjente formën përfundimtare, të frymëzuar nga dy spirale që ngrihen lart dhe simbolizojnë botën.
Vetë Gazzaniga dëshironte që trofeu të përfaqësonte tre emocionet më të mëdha të futbollit: sakrificën e sportistit, entuziazmin e tifozëve dhe momentin e triumfit. Këto elemente u bashkuan në një vepër që sot njihet në mbarë globin.
Skulptori, i cili ndërroi jetë në vitin 2016 në moshën 95-vjeçare, kishte studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura Brera dhe më pas punoi për kompaninë italiane G.D.E. Bertoni, e cila vazhdon të prodhojë trofeun origjinal të Kupës së Botës.
Historia e trofeut të Kupës së Botës nis edhe më herët. Trofeu i parë, i përdorur nga viti 1930 deri në vitin 1970, ishte projektuar nga skulptori francez Abel Lafleur dhe paraqiste perëndeshën greke të fitores, Nike. Më vonë ai mori emrin Jules Rimet, në nder të presidentit të FIFA-s që themeloi turneun.
Ndryshe nga sa mendojnë shumë tifozë, kampionët e botës nuk e mbajnë përgjithmonë trofeun origjinal. Ai ruhet nga FIFA në Zyrih, ndërsa skuadra fituese merr një kopje zyrtare të veshur me ar. Kjo traditë vazhdon edhe sot, duke e bërë trofeun origjinal një nga objektet sportive më të çmuara në botë.