TV LIVE
Nga Vendi
13 July 2026
QENTË ENDACAKË I KANË KUSHTUAR KOMUNËS SË KËRÇOVËS RRETH 238 MIJË EURO PËR NJË VIT

Problemi me qentë endacakë vazhdon t'i kushtojë shtrenjtë Komunës së Kërçovës. Sipas të dhënave zyrtare që Komuna e Kërçovës i ka dorëzuar TV Uskana, si përgjigje ndaj kërkesës për qasje në informata me karakter publik, gjatë periudhës 31 maj 2025 – 31 maj 2026, gjithsej 223 persona kanë kërkuar kompensim dëmi për shkak të sulmeve nga qentë endacakë.
Nga numri i përgjithshëm i kërkesave, 128 raste janë realizuar përmes procedurës përmbarimore, 61 raste në bazë të aktgjykimeve gjyqësore, ndërsa 34 raste janë zgjidhur me marrëveshje (ujdi).
Për kompensimin e dëmeve ndaj qytetarëve, Komuna e Kërçovës ka paguar gjithsej 14.632.502 denarë, ose rreth 238 mijë euro. Prej tyre, 10.873.513 denarë (rreth 177 mijë euro) janë paguar në procedura përmbarimore, 2.718.989 denarë (rreth 44 mijë euro) në bazë të aktgjykimeve gjyqësore, ndërsa 1.040.000 denarë (rreth 17 mijë euro) përmes marrëveshjeve.
Përveç kompensimeve për qytetarët, Komuna ka paguar edhe 2.739.493 denarë për shpenzimet e avokatëve që kanë përfaqësuar personat e sulmuar, ose rreth 44.500 euro. Nga kjo shumë, 578.857 denarë (rreth 9.400 euro) janë paguar në procedurat përmbarimore, ndërsa 2.160.636 denarë (rreth 35 mijë euro) në bazë të aktgjykimeve gjyqësore.
Këto të dhëna tregojnë se problemi i qenve endacakë vazhdon të mbetet një barrë e rëndë financiare për buxhetin e Komunës së Kërçovës, ndërsa qytetarët vazhdojnë të përballen me rrezikun nga sulmet e tyre.
Lidhur me masat për zgjidhjen e këtij problemi, Komuna e Kërçovës në përgjigjen për TV Uskana thekson se deri më tani janë ndërmarrë aktivitete për kapjen e qenve endacakë, trajtimin profesional dhe kujdesin e tyre në përputhje me rregulloret ligjore. Po ashtu komuna, njofton se gjatë këtij viti planifikohet ndërtimi i një strehimoreje për qentë endacakë, ndërsa procedura për realizimin e këtij projekti është në zhvillim. Sipas Komunës, me ndërtimin e strehimores pritet të krijohen kushte për një qasje më humane dhe më sistematike në zgjidhjen e problemit me qentë endacakë.



Të ndryshme
Më shumë