Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka kritikuar ashpër ndryshimet e propozuara në përbërjen e Qeverisë, duke vlerësuar se ato nuk përfaqësojnë një reformë, por vetëm një “riorganizim të dështimeve” dhe një konfirmim se interesat politike po vendosen mbi interesin e qytetarëve.
Në një konferencë për media, BDI u ndal veçanërisht te ndryshimet në Ministrinë e Shëndetësisë, duke theksuar se ministri në largim po e përfundon mandatin pa realizuar, sipas partisë, premtimet kryesore të dhëna nga koalicioni VLEN në fushatën zgjedhore.
Sipas BDI-së, gjatë mandatit nuk janë realizuar reformat e paralajmëruara, investimet e premtuara dhe përmirësimet në sistemin shëndetësor.
“Qytetarët me të drejtë pyesin: Ku mbetën 74 milionë eurot e premtuara për Spitalin Klinik në Tetovë? Ku mbeti parku memorial për spitalin modular?”, thanë nga BDI.
Partia opozitare rikujtoi edhe premtimet zgjedhore të VLEN-it në sektorin e shëndetësisë, duke përmendur ndërtimin e gjashtë spitaleve rajonale në zonat me shumicë shqiptare, ndërtimin e Qendrës Klinike Universitare në Tetovë, kontrollet shëndetësore falas një herë në vit për çdo qytetar, pajisjen e çdo komune shqiptare me qendra urgjence dhe autoambulanca, si dhe krijimin e një qendre të specializuar për trajtimin e plagëve dhe djegieve.
Sipas BDI-së, asnjë prej këtyre zotimeve nuk është realizuar.
“Largimi i ministrit nuk është reformë dhe as përgjegjësi politike. Është pranim publik se VLEN dështoi të mbajë fjalën e dhënë në sektorin e shëndetësisë. Dështimi nuk fshihet duke zëvendësuar ministrin”, deklaruan nga partia.
BDI kritikoi edhe propozimin që Ivan Stoilkoviq të emërohet ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Sipas kësaj partie, gjatë drejtimit të Ministrisë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, buxheti i këtij institucioni është zvogëluar disa herë, ndërsa tani atij po i besohet drejtimi i resorit përgjegjës për komunat.
Nga BDI vlerësuan se ky emërim paraqet, sipas tyre, një “ironi politike”, duke shtuar se kryetarët e komunave nga radhët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, tashmë do të jenë nën kompetencën e ministrit të ri të Vetëqeverisjes Lokale.
Partia opozitare shprehu kundërshtime edhe ndaj kandidatit të propozuar për ministër të Drejtësisë, duke pretenduar se ai ka mbështetur publikisht Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, të cilin BDI e konsideron të papranueshëm për shkak të mungesës së kuotave etnike, mekanizmave të zbatimit dhe sanksioneve për institucionet që nuk respektojnë përfaqësimin.
Sipas BDI-së, emërimi i tij dërgon një mesazh se Qeveria nuk synon të forcojë shtetin e së drejtës dhe as të mbrojë frymën e Marrëveshjes së Ohrit.
Në fund, BDI theksoi se ndryshimet e propozuara nuk do të sjellin një qeveri më efikase, por, sipas saj, dëshmojnë se VLEN ka braktisur premtimet ndaj shqiptarëve dhe po vepron në funksion të agjendës së partnerëve të koalicionit.
Partia ritheksoi se do të vazhdojë të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, si dhe të drejtat e qytetarëve, duke kundërshtuar çdo përpjekje që, sipas saj, cenon këto parime.