Shërbimet e emergjencës në juglindje të Spanjës vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit pas një prej zjarreve më të rënda në historinë e vendit.
Qindra zjarrfikës dhe specialistë të emergjencave janë angazhuar në zonën përreth fshatit Bedar, ku deri tani kanë humbur jetën të paktën 12 persona, ndërsa autoritetet spanjolle bëjnë të ditur se mes viktimave janë edhe katër shtetas britanikë. Gjithashtu, 23 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Autoritetet lokale në zonën e Los Gallardos paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet. Vala e të nxehtit, me temperatura që kanë arritur rreth 40°C, ka favorizuar përhapjen e zjarreve në të gjithë Evropën Jugore gjatë kësaj vere, veçanërisht në Francë, Portugali dhe Spanjë.
Temperaturat e larta, toka e tharë dhe erërat e forta bënë që flakët në Los Gallardos të përhapeshin me shpejtësi të enjten pasdite. Autoritetet dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga rrëzimi i një linje elektrike, megjithatë kompanitë e energjisë elektrike e kanë mohuar këtë.
Nuk janë bërë publike detaje të tjera për katër personat që u gjetën të pajetë brenda një automjeti të djegur. Ministri i Shëndetësisë dhe Emergjencave i Andaluzisë, Antonio Sanz, deklaroi se viktimat besohet të kenë qenë me origjinë britanike, duke theksuar se automjeti kishte timonin në anën e djathtë.
Një turiste britanike, Lucinda Curtois, e cila kishte mbërritur në Spanjë me partnerin dhe dy fëmijët e tyre adoleshentë, rrëfeu momentet dramatike të evakuimit nga Bedar.
Zyrtarët në Bedar deklaruan se disa prej viktimave nuk kishin ndjekur rrugën e rekomanduar të evakuimit, megjithëse mbetet e paqartë se sa qartë ishte komunikuar ky udhëzim. Deri tani, autoritetet spanjolle dhe Ministria e Jashtme britanike nuk kanë bërë publike identitetet e viktimave.
Ministri Antonio Sanz tha se zjarri u përhap me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe se shumica, ose ndoshta të gjitha viktimat, mund të kenë qenë shtetas të huaj.
Edhe ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prévot, deklaroi se shumë belgë kanë banesa të dyta në këtë rajon dhe se shërbimet konsullore po përpiqen të kontaktojnë personat me të cilët nuk kanë arritur ende të komunikojnë. /CNA