Euroambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut,Mihailis Rokas , vizitoi sot Komunën e Kërçovës, ku u prit nga kryetari i komunës,Aleksandar Jovanovski .
Me këtë rast, kryetari Jovanovski e falënderoi euroambasadorin për vizitën dhe për mbështetjen që Bashkimi Evropian i ka dhënë komunës dhe vendit. Ai theksoi se, që nga pavarësia e shtetit, anëtarësimi në Bashkimin Evropian ka qenë prioritet strategjik i shoqërisë sonë dhe mbetet një nga objektivat kryesore të vendit.
Nga ana tjetër, euroambasadori Rokas u shpreh se vizita e tij në Kërçovë vjen në një periudhë kyçe për Maqedoninë e Veriut në procesin e integrimit evropian. Ai bëri të ditur se gjatë takimit me kryetarin Jovanovski është biseduar për projektet që financohen nga Bashkimi Evropian.
"I nderuar për mikpritjen e ngrohtë. Është kënaqësi të jem sot në Kërçovë, e cila është një “Evropë e vogël”, duke pasur parasysh se Komuna e Kërçovës është multietnike, multifetare dhe gjithashtu multikulturore. Faktikisht, ajo pasqyron të gjithë atë që është Republika e Maqedonisë së Veriut, me të gjitha sfidat dhe prioritetet me të cilat përballet, të cilat nuk dallojnë shumë nga ato të gjithë vendit apo komunave të tjera.
Kemi ardhur sot këtu në vizitë në një kohë kyçe sa i përket rrugëtimit eurointegrues të vendit, duke pasur parasysh se e ardhmja e vendit është në kuadër të Bashkimit Evropian.
Përndryshe, biseduam për punët e përditshme që i bëjmë. Patëm një takim të shkëlqyeshëm me kryetarin e komunës, me të cilin shkëmbyem mendime. Gjithashtu, edhe me Këshillin Komunal biseduam për sfidat dhe prioritetet.
Po ashtu, dua t’ju informoj se ka shumë projekte të realizuara, të financuara nga Bashkimi Evropian, të cilat kanë qenë të suksesshme, ndërsa disa kanë qenë më pak të suksesshme. Megjithatë, qëllimi ynë i përbashkët është që të kemi sukses në realizimin e projekteve nga fusha e mjedisit jetësor, kanalizimit, si dhe strehimit apo vendosjes së popullatës më të cenueshme.
Por ajo që është më e rëndësishme është se Komuna e Kërçovës ka rëndësi edhe për Korridorin 8, por edhe për projektet që kanë të bëjnë me mjedisin jetësor,Mihalis Rokas, ambasador i Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut.