Rritja e temperaturave gjatë sezonit veror ka rikthyer problemin e mungesës së ujit të pijshëm në fshatrat e ish-Komunës së Osllomesë. Situata rëndohet edhe më shumë me ardhjen e mërgimtarëve për pushimet verore në vendlindje, gjë që ndikon në rritjen e konsumit të ujit.
Për këtë problematikë ka reaguar këshilltari i BDI-së në Këshillin Komunal të Kërçovës, Shefki Imeti, i cili vjen nga fshati Garanë. Në mbledhjen e Këshillit, ai kërkoi nga autoritetet komunale që të insistojnë tek TEC Osllomej për respektimin e marrëveshjes që ka me Komunën e Kërçovës, sipas së cilës gjatë kësaj periudhe termocentrali duhet të ndërpresë punën, me qëllim që të mos rëndohet furnizimi me ujë i banorëve.
Ai theksoi se nëse kjo marrëveshje nuk respektohet, Komuna duhet të gjejë alternativa dhe zgjidhje konkrete për tejkalimin e problemit me furnizimin me ujë të pijshëm në vendbanimet e prekura.
Nga ana tjetër, sekretari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Mickoski, deklaroi se institucionet komunale do të angazhohen dhe do të bëjnë përpjekje për gjetjen e një zgjidhjeje sa më të shpejtë për këtë problematikë.