TV LIVE
Nga Vendi
6 July 2026
Miratohet Ligji i ri për energjinë e ripërtëritshme, lehtësohen investimet dhe procedurat

Maqedonia e Veriut ka miratuar një Ligj të ri për përdorimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, i cili pritet të sjellë procedura më të shpejta për marrjen e lejeve, zhvillimin e “zonave të gjelbra”, modele të reja për mbështetjen e investimeve dhe më shumë të drejta për qytetarët si prodhues të energjisë elektrike, shkruan DW , transmeton Zhurnal.mk

Ligji krijon kushte për formimin e komuniteteve energjetike, lehtëson vendosjen e sistemeve solare në amvisëri dhe vendos mekanizma shtesë për mbrojtjen e mjedisit jetësor.

Pjesa më e madhe e dispozitave të ligjit do të hyjnë në fuqi në vitin 2028. Ai vendos një kornizë të veçantë ligjore për zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe harmonizon vendin me standardet evropiane në sektorin energjetik.

Qëllimi kryesor është rritja e prodhimit vendor të energjisë elektrike, ulja e varësisë nga importi dhe përshpejtimi i tranzicionit të gjelbër.

Leje më të shpejta dhe “zona të gjelbra”
Një nga risitë më të rëndësishme është shpallja e projekteve në fushën e burimeve të ripërtëritshme si projekte me interes publik. Kjo do të thotë se institucionet do të jenë të detyruara të veprojnë më shpejt për kërkesat që lidhen me ndërtimin dhe kyçjen e kapaciteteve të reja energjetike.

Ligji parashikon krijimin e zonave të veçanta për zhvillimin e përshpejtuar të energjisë së ripërtëritshme, të njohura si “zona të gjelbra”.

Në këto zona:

procedurat për lëshimin e lejeve nuk do të zgjasin më shumë se 12 muaj;
për objektet me kapacitet deri në 150 kW, afati maksimal do të jetë 6 muaj;
përparësi do t’u jepet lokacioneve me rrezik të ulët për mjedisin jetësor.
Sisteme solare për amvisëritë deri në 10,8 kW
Ligji i ri i klasifikon sistemet solare me fuqi të instaluar deri në 10,8 kW si objekte të vogla energjetike.

Për amvisëritë parashikohen disa lehtësime të rëndësishme:

leja për instalimin e pajisjeve deri në 100 kW duhet të lëshohet brenda një muaji;
operatori i rrjetit do të ketë afat një muaj për kyçjen e sistemeve deri në 10,8 kW;
nëse operatori nuk përgjigjet brenda afatit, do të zbatohet parimi “heshtja është pëlqim”.
Këto ndryshime pritet të ulin ndjeshëm pengesat administrative për qytetarët që dëshirojnë të investojnë në energjinë e ripërtëritshme. Amvisëritë dhe kompanitë do të mund të instalojnë më lehtë panele diellore dhe të prodhojnë energji elektrike për nevojat e tyre, si dhe ta ruajnë ose ta shesin tepricën e energjisë së prodhuar.

Tre modele për llogaritjen e energjisë së prodhuar
Ligji vendos një ndarje të qartë sipas kapacitetit të sistemit:

Matje neto (net-metering) për sistemet deri në 16 kW;
Llogaritje neto (net-billing) për sistemet nga 16 deri në 50 kW;
Model komercial për kapacitete mbi 50 kW.
Për herë të parë – komunitete energjetike
Për herë të parë vendoset një kornizë e plotë ligjore për komunitetet energjetike.

Qytetarët, kompanitë dhe komunat do të mund të bashkohen vullnetarisht për prodhimin, ruajtjen dhe përdorimin e përbashkët të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme.

Ky model konsiderohet veçanërisht i rëndësishëm për komunitetet lokale dhe komunat, ku ekziston potencial për zhvillimin e projekteve të përbashkëta energjetike.

Mbrojtja e mjedisit – kusht i detyrueshëm
Ligji i ri vendos theks të veçantë te mbrojtja e mjedisit.

Nga zonat për zhvillim do të përjashtohen:

zonat me biodiversitet të lartë;
zonat e mbrojtura;
korridoret kryesore të migrimit të shpendëve.
Investitorët do të jenë të detyruar të sigurojnë mjete financiare për çmontimin e impianteve dhe rehabilitimin e terrenit pas përfundimit të ciklit të tyre të punës.

Po ashtu, mbetet i detyrueshëm procesi i vlerësimit të ndikimit në mjedis për projektet që mund të shkaktojnë pasoja të konsiderueshme ekologjike.

Mbështetje e re për investimet
Në vend të subvencioneve fikse, shteti do të aplikojë ankande konkurruese dhe prime tregu për mbështetjen e kapaciteteve të reja energjetike.

Ky sistem synon të sigurojë:

transparencë më të madhe;
kushte më të qëndrueshme për investitorët;
kosto më të ulëta për konsumatorët;
zhvillim më të shpejtë të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.
Të gjitha procedurat për ndjekjen e lejeve dhe kyçjen në rrjet do të zhvillohen përmes një platforme digjitale. Njëkohësisht, forcohet edhe sistemi i garancive të origjinës së energjisë elektrike, duke u mundësuar konsumatorëve të kenë dëshmi se energjia që përdorin është prodhuar nga burime të ripërtëritshme. përcjell  Zhurnal.mk .



Të ndryshme
Më shumë