Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbeten të paqarta, pasi Teherani deklaroi se nuk është planifikuar asnjë takim me delegacionin amerikan, pavarësisht se të dyja palët do të ndodhen këtë javë në Doha të Katarit.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se delegacioni amerikan do të drejtohet nga Jared Kushner dhe i dërguari special Steve Witkoff. Megjithatë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, tha se vizita e ekipit teknik iranian në Katar nuk lidhet me amerikanët dhe se nuk do të zhvillohen negociata.
Presidenti amerikan Donald Trump tha se takimi i mundshëm në Doha mund të jetë i rëndësishëm, por mund të mos sjellë asgjë, ndërsa përsëriti se Irani nuk duhet të lejohet të zhvillojë armë bërthamore.
Situata tregon se armëpushimi i përkohshëm i arritur më 17 qershor mbetet i brishtë Marrëveshja parashikon 60 ditë për të diskutuar programin bërthamor të Iranit dhe arritjen e një armëpushimi të përhershëm, por deri tani përparimi ka qenë i kufizuar, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.