Pas plot 37 vitesh pune dhe përkushtimi në shërbim të qytetarëve dhe pacientëve të Kërçovës me rrethinë, sot doli në pension kirurgu i njohur Dr. Aqif Ismaili.
Gjatë karrierës së tij të gjatë profesionale, Dr. Ismaili ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në trajtimin e pacientëve, ndërsa për shumë vite ka luajtur rol të rëndësishëm edhe në përmirësimin e kushteve të punës dhe funksionimit të Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës.
Me emocione të veçanta, Dr. Aqif Ismaili kujtoi fillimet e karrierës së tij, sfidat e viteve të para dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj pacientëve gjatë dekadave të shërbimit.
Në emër të kolektivit, Nora Nexhipi vlerësoi lart punën dhe angazhimin e Dr. Ismailit, duke theksuar se ai ka qenë gjithmonë i përkushtuar ndaj profesionit dhe një shembull për të gjithë kolegët.
Ndërkaq, udhëheqësi aktual i Repartit të Kirurgjisë në Spitalin e Përgjithshëm të Kërçovës, Dr. Senaver Selimi, tha se Dr. Aqif Ismaili ka dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e repartit dhe në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Dalja në pension e Dr. Aqif Ismailit shënon fundin e një karriere të gjatë dhe të suksesshme, gjatë së cilës ai la gjurmë të rëndësishme në shëndetësinë e Kërçovës dhe fitoi respektin e pacientëve dhe kolegëve të tij.