Pas fitores ndaj Skocisë në Kupën e Botës, trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, u ndal veçanërisht te rikthimi në fushë i Neymarit, i cili luajti sërish pas një periudhe të gjatë mungese për shkak të dëmtimit.
Tekniku italian vlerësoi angazhimin dhe profesionalizmin e sulmuesit brazilian gjatë fazës së rikuperimit, duke theksuar se aktivizimi i tij ishte plotësisht i merituar.
“Neymar pati mundësinë të luante sepse e kishte fituar atë me meritë. Ai ka punuar shumë seriozisht dhe ka treguar profesionalizëm të madh gjatë stërvitjeve”, deklaroi Ancelotti pas ndeshjes.
Trajneri i “Seleçaos” u shpreh i bindur se cilësitë e Neymarit mund të jenë një armë e rëndësishme për Brazilin në vazhdim të turneut.
“Me cilësinë që zotëron, ai mund ta ndihmojë skuadrën në këtë Kupë Bote. Në minutat që qëndroi në fushë luajti mirë dhe dha sinjale pozitive”, shtoi Ancelotti.
Rikthimi i Neymarit konsiderohet një lajm shumë i rëndësishëm për Brazilin, i cili synon të shkojë deri në fund të kompeticionit. Edhe pse luajti vetëm pak minuta ndaj Skocisë, ylli brazilian tregoi se është gati të japë kontributin e tij në fazat vendimtare të Botërorit.