Kanë kaluar rreth tetë muaj nga ndarja e parakohshme nga jeta e këngëtarit Shpat Kasapi, por kujtimi i tij vijon të mbetet i gjallë te miqtë dhe kolegët. Së fundmi, këngëtarja Albulena Ukaj ka ndarë detaje prekëse mbi miqësinë e tyre të ngushtë dhe bashkëpunimin në projektin e fundit muzikor të artistit. Ukaj tregoi se kontakti i fundit me Shpat Kasapin ka ndodhur vetëm tre ditë para se ai të ndërronte jetë. Sipas saj, kënga që kishin realizuar së bashku ishte planifikuar të publikohej më 28 Nëntor, por vetë këngëtari i kishte kërkuar që publikimi të shtyhej për fillim të dhjetorit.
“Tre ditë para se të ndërronte jetë më mori në telefon dhe më tha: ‘A e lançojmë këngën pas datës 28 Nëntor, fillim dhjetori?’. Kjo ishte biseda jonë e fundit. Ai ndodhej në Itali me bashkëshorten dhe djalin, ndërsa ramë dakord që publikimin ta bënim kur ai të ishte gati”, rrëfeu këngëtarja. Ajo kujtoi edhe takimin e fundit me artistin në Ferizaj, ku, sipas saj, Shpati ishte plot energji pozitive dhe dukej shumë i lumtur.
“I kishte rënë një hije shumë e mirë. Ishte i hareshëm, buzëqeshte vazhdimisht dhe fliste vetëm pozitivisht. Ishte shumë i emocionuar për pjesëmarrjen në Big Brother. Ajo është fotografia që më ka mbetur në mendje”, tha Ukaj. Artistja tregoi gjithashtu momentin e dhimbshëm kur mësoi lajmin për vdekjen e tij. Ajo ishte në gjumë kur u zgjua nga telefonatat dhe mesazhet e shumta, ndërsa mesazhi i parë që lexoi ishte nga vëllai i saj.
“‘Lena, ka vdekur Shpati, a e di?’. Në fillim nuk mund ta besoja. Hapa telefonin, rrjetet sociale, të gjithë flisnin për të njëjtën gjë. Edhe kur mora pjesë në varrimin e tij, ende nuk arrija ta besoja se Shpati ishte larguar nga kjo botë”, u shpreh ajo. Shpat Kasapi u nda nga jeta më 25 nëntor 2025, në moshën 40-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak gjatë një qëndrimi në Itali.