TV LIVE
Sport
23 June 2026
Fjalët e Lionel Messit pasi theu rekordin e golave në Kupën e Botës

Lionel Messi ishte protagonisti kryesor në fitoren 2-0 të Argjentinës ndaj Austrisë, duke shënuar dy gola dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës me 18 gola.

Pas ndeshjes, kapiteni argjentinas u shpreh i lumtur për fitoren dhe kualifikimin e hershëm të “Albiceleste” në fazën eliminatore.

“Ishte në planet tona t’i fitonim të dyja ndeshjet e para dhe e dinim se nuk do të ishte aspak e lehtë. Në Kupën e Botës nuk ka kundërshtarë të lehtë dhe çdo ndeshje është shumë e luftuar. Austria na vështirësoi punën dhe në disa momente e kishim të vështirë të kontrollonim lojën, por më e rëndësishmja ishte fitorja dhe kualifikimi”, deklaroi Messi.

Ylli 39-vjeçar pranoi se humbja e penalltisë në fillim të ndeshjes e kishte zhgënjyer, por u gëzua që reagoi në mënyrën më të mirë të mundshme.

Isha shumë i mërzitur që humba penalltinë, por për fat të mirë arritëm ta ndryshonim rrjedhën e ndeshjes dhe të merrnim tri pikët. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi”, tha ai.

Messi theksoi gjithashtu atmosferën pozitive brenda skuadrës së Argjentinës.

Nga penalltia e humbur te rekordi historik – Messi shkruan një kapitull të ri në Kupën e Botës

“Kur mblidhemi me ekipin kombëtar, gjithmonë kënaqemi duke luajtur së bashku dhe duke u dhuruar tifozëve gëzim. Do të vazhdojmë hap pas hapi, sepse rruga është ende e gjatë dhe shumë e vështirë”, shtoi ai.

Me dy golat kundër Austrisë, Messi arriti kuotën e pesë golave në Kupën e Botës 2026 dhe kryeson listën e golashënuesve të turneut.

“Nuk e kisha imagjinuar një nisje të tillë. Jam i lodhur pas përpjekjes së madhe, por shumë i lumtur për rezultatin dhe për kontributin e gjithë skuadrës. Tani duhet të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim”, përfundoi kapiteni argjentinas.

Falë fitores ndaj Austrisë, Argjentina siguroi kualifikimin në raundin e 1/16 së finales me gjashtë pikë nga dy ndeshje, duke konfirmuar statusin e një prej favoritëve kryesorë për triumfin në Kupën e Botës 2026.



Të ndryshme
Më shumë