TV LIVE
Teknologji
18 June 2026
Mercedes zgjeron praninë edhe në sektorin e mbrojtjes

Pas Volkswagen-it, edhe Mercedes po e drejton një pjesë të veprimtarisë së saj drejt industrisë së mbrojtjes. Prodhuesi gjerman është duke përgatitur një partneritet me një kompani të specializuar në prodhimin e dronëve, ndërsa njëkohësisht ka firmosur edhe një kontratë prej 1 miliard eurosh me Ministrinë e Mbrojtjes së Lituanisë për furnizim me automjete ushtarake.

Sipas Financial Times, Mercedes-Benz pritet të bashkëpunojë me startup-in Tytan Technologies, që merret me prodhimin e dronëve interceptues.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Mercedes do të sigurojë furgonë Sprinter dhe mjete sportive G-Class, të destinuara për transportin e sistemit “Drone Defender”, një platformë e lëvizshme për lëshimin e dronëve.

Raporti thekson se ky sistem pritet të kushtojë më pak se zgjidhjet rivale dhe të bëhet i disponueshëm më shpejt sesa sistemet më të ndërlikuara të projektuara për përdorim në vijën e parë të frontit.

Tytan Technologies, që fokusohet në zhvillimin dhe prodhimin e dronëve autonomë interceptues të drejtuar nga inteligjenca artificiale dhe bashkëpunon me Ukrainën, synon që prodhimin ta nisë deri në fund të këtij viti.

Nga ana tjetër, drejtori ekzekutiv i Mercedes, Ola Källenius, ka deklaruar së fundmi për Wall Street Journal se kompania mund ta zgjerojë praninë e saj në fushën e mbrojtjes, por pa e kthyer atë në aktivitetin e saj kryesor, pasi do të mbetet një sektor i veçantë.

Krijimi i këtij sistemi të ri po ndodh në një periudhë kur në Gjermani po shtohen shqetësimet për sulme të mundshme me dronë ndaj infrastrukturës kritike.

Së fundmi, Zyra Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës u ka kërkuar kompanive gjermane të marrin masa mbrojtëse kundër dronëve, pasi në vitet e fundit është konstatuar një rritje e ndjeshme e pranisë së tyre, sidomos pranë aeroporteve dhe objekteve ushtarake.

Ndërkohë, Mercedes ka nënshkruar edhe një marrëveshje me vlerë 1 miliard euro me qeverinë e Lituanisë për furnizimin e forcave të armatosura të vendit me automjete Mercedes-Benz G-Class si dhe me kamionë ushtarakë Unimog, Zetros dhe Arocs, të prodhuar nga Daimler Truck.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Lituanisë, marrëveshja parashikon që dorëzimet e automjeteve të realizohen në mënyrë graduale nga viti 2026 deri në vitin 2032.



Të ndryshme
Më shumë