TV LIVE
Sport
16 June 2026
Botërori 2026/ Uruguai shpëton nga humbja ndaj Arabisë Saudite, Irani ngec ndaj Zelandës së Re

Ndeshjet e orëve të para sipas orarit tonë nuk kanë prodhuar fitues.  Në Grupin H, Uruguai u ndal në një barazim 1-1 ndaj Arabisë Saudite në sfidën e zhvilluar në Miami. Ekipi i drejtuar nga trajneri argjentinas Marcelo Bielsa u shfaq i ngadaltë dhe pa ritëm në pjesën e parë, duke u kapur në befasi në minutën e 41-të nga goli i mbrojtësit saudit Abdulelah Al Amri.

Pas pushimit, Uruguai rriti presionin dhe kërkoi me ngulm golin e barazimit, të cilin e gjeti vetëm në minutën e 80-të falë realizimit të Maxi Araujo. Ndeshja u mbyll 1-1, duke i dhënë Arabisë Saudite një pikë të çmuar ndaj një rivali shumë më të favorizuar në letër.

Ndërkohë, në Grupin G, Irani dhe Zelanda e Re dhuruan një sfidë spektakolare që përfundoi në barazim 2-2 para rreth 70 mijë tifozëve në SoFi Stadium.

Zelanda e Re kaloi dy herë në avantazh falë dy golave të Elijah Just në minutat e 7-të dhe 55-të. Megjithatë, Irani reagoi në të dy rastet, duke barazuar fillimisht me Ramin Rezaeian në minutën e 32-të dhe më pas me Mohammad Mohebi në minutën e 64-t.

Ky rezultat bën që të katër skuadrat e Grupit G të kenë nga një pikë pas javës së parë, pasi edhe sfida tjetër e grupit mes Belgjika dhe Egjipti përfundoi në barazim 1-1.



Të ndryshme
Më shumë