Me pjesëmarrjen e familjarëve, miqve, kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe ish-studentëve, iu dha lamtumira e fundit profesor Murat Muratit, i cili ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare. Ceremonia e varrimit u zhvillua në varrezat e qytetit të Strugës, ku Prof Murati kaloi vitet e fundit të jetës,ndërsa të pranishmit kujtuan jetën dhe veprimtarinë e tij të pasur arsimore e shoqërore.
Gjatë ceremonisë mortore, ish-studentë, kolegë dhe bashkëpunëtorë të profesor Muratit folën për TV Uskana, duke vlerësuar kontributin e tij shumëvjeçar në arsim dhe gjurmën që ai la te breza të tërë nxënësish e studentësh.
Vajza e të ndjerit Leonora u shpreh krenare për jetën dhe veprën e të atit, ndërsa falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në ceremoninë e varrimit dhe ndanë dhimbjen me familjen.
Në emër të familjes, Remzi Murati lexoi referatin e lamtumirës, duke rikujtuar jetën, vlerat dhe përkushtimin e profesor Murat Muratit ndaj familjes, arsimit dhe shoqërisë.