Forcat amerikane kanë rrëzuar disa dronë iranianë që po lëviznin drejt Ngushticës së Hormuzit, raportojnë mediat e huaja duke cituar një burim të informuar mbi zhvillimet në rajon.
Sipas zyrtarit, i cili foli në kushte anonimiteti, dronët iranianë përbënin një kërcënim për transportin detar tregtar në një nga rrugët më të rëndësishme të lundrimit në botë.
Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi se Irani kishte nisur sulme me dronë vetëvrasës me qëllim goditjen e anijeve tregtare që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
“Në orët e fundit, forcat amerikane i kanë rrëzuar të gjithë dronët e identifikuar si kërcënim, ndërsa lundrimi në Ngushticën e Hormuzit vijon pa ndërprerje”, thuhet në një deklaratë të publikuar nga CENTCOM në platformën X.
Ngjarja vjen në një moment delikat, teksa Uashingtoni dhe Teherani raportojnë përparim në negociatat që synojnë uljen e tensioneve dhe arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit.
Megjithatë, incidenti i fundit tregon se situata në rajon mbetet e paqëndrueshme.