TV LIVE
Nga Bota
13 June 2026
Ushtria amerikane ekzekuton kreun e bandës venezueliane, Nino Guerrero

Ushtria amerikane ka vrarë kreun e bandës venezueliane të krimit Tren de Aragua. Lajmi u bë i ditur nga Presidenti Donald Trump, i cili shkroi në rrjetet sociale se Komanda Jugore e SHBA-së kishte ndërmarrë një sulm vdekjeprurës ku u ekzekutua Nino Guerrero, emri i plotë i të cilit është Héctor Rusthenford Guerrero Flores.

Guerrero drejtonte prej shumë kohësh Tren de Aragua, një nga grupet më famëkeqe kriminale në Amerikën Latine, që ka qenë shënjestër e administratës së presidentit Trump. Ky i fundit e akuzoi grupin për trafikim të lëndëve narkotike drejt SHBA-së dhe e shpalli organizatë të huaj terroriste.

Tren de Aragua ishte fillimisht një bandë e krijuar në burg, të cilën, sipas Departamentit të Shtetit, Guerrero e ktheu në një organizatë kriminale transkombëtare që vepronte në Kolumbi, Ekuador, Peru dhe Kili, duke u marrë me trafikim të qenieve njerëzore për shfrytëzim seksual, trafikim të lëndëve narkotike, vrasje me pagesë dhe rrëmbime.

Në operacionin për eliminimin e Guerreros u përfshinë edhe autoritetet e Venezuelës, të cilat konfirmuan pjesëmarrjen dhe bënë me dije se aksioni u zhvillua në Bolivar.

Në janar të këtij viti, forcat amerikane ndaluan presidentin e atëhershëm të Venezuelës Nicolas Maduro, të arrestuar në kompleksin e tij rezidencial për t’ia dorëzuar drejtësisë amerikane, pasi akuzohet për narkoterrorizëm, trafikim lëndësh narkotike dhe armësh. SHBA e akuzon Maduron për bashkëpunim me Tren de Aragua dhe Guerreron.

/rtsh.al/



Të ndryshme
Më shumë