Me 59 vota ‘për’ dhe 9 ‘kundër’, deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut e kaluan në lexim të parë Propozim-ligjin për lojërat e fatit, me të cilat parashikohet që kazinotë të largohen së paku 500 metra larg shkollave, por kjo nuk vlen për bastoret. Për pushtetin kjo është një arritje e madhe, ndërsa për opozitën ligji duhet të jetë më rigoroz. Antibixhozi kërkon mbyllje të plotë të lojërave të fatit, shkruan Portalb.mk.
Në seancën plenare të mbajtur më 11 qershor 2026, deputetët e Kuvendit të RMV-së i dhanë dritë jeshile propozim-ligjit për lojërat e fatit, konkretisht ligji kaloi leximin e parë.
Menjëherë pas kësaj, deputetët nga pozita u filluan të lavdërohen për këtë arritje.
“Në seancën 104 të Kuvendit u miratua Ligji për lojërat e fatit me 59 vota pro dhe 9 kundër. Sipas ndryshimeve, kazinot nuk do të lejohen pranë shkollave (minimum 500 metra) dhe ndalohet reklamimi i tyre, sidomos ai që e paraqet bixhozin si rrugë drejt suksesit. Gjithashtu, vendoset kontroll më i rreptë përmes GPS në aparate, kufizohen licencat dhe rriten tarifat financiare dhe garancitë bankare. Ligji përfshin edhe standardet e MONEYVAL për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, shkroi deputetja e VLEN, Valbona Adili Emini.
Me reagim të ngjashëm doli edhe deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski.
“Kuvendi i dha dritën jeshile, duke e mbështetur propozim-ligjin për lojërat e fatit, me të cilin kazinotë nuk do të lejohen të jenë në një distancë prej 500 metrash nga shkollat, ndalohet reklamimi në vitrinat e lokaleve të lojërave të fatit, ndalohet reklamimi që e paraqet kumarin si mënyrë për arritjen e suksesit personal, çdo aparat duhet të ketë detyrimisht sistem lokacioni (GPS) për kontroll të vazhdueshëm nga Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP), licencat nuk do të mund të shumëfishohen, vendosen detyrime financiare për hapjen e pikave të reja të pagesës dhe pagesës së fitimeve, rriten shumat e garancive bankare dhe zbatohet rekomandimi i MONEYVAL-it (Këshilli i Evropës) si standard në luftën për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, shkroi Milloshoski.
Në një deklaratë për Portalb.mk, deputeti i LSDM-së opozitare, Fatmir Bytyqi tha se pasi ligji kaloi në lexim të parë, tani është koha për amandamente.
“Mendoj se ligji duhet të jetë akoma më rigoroz dhe më i drejtë në disa aspekte: lokacioni i kazinove duhet të jetë jashtë zonave urbane, ndarja e parave na lojërat e fatit duhet të jetë shumë më transparente dhe jo në mënyrën që është paraparë tani në ligj, reklamimi duhet të jetë plotësisht i ndaluar dhe jo pjesërisht e posaçërisht reklamimi në sport te kategoritë e moshave të reja, gjë që e bën problematike gjithë situatën”, tha Bytyqi.
Kërkuam qëndrim edhe nga deputetja e BDI-së, Rina Ajdari, por deri në publikimin e këtij teksti, deputetja nuk u përgjigj në kërkesën për deklaratë.
Nga Lëvizja Antibixhoz për Portalb.mk thanë se e përshëndesin miratimin e këtij propozim-ligji, megjithatë mbeten në qëndrimin se lojërat e fatit duhet të mbyllen dhe mos të egzistojnë fare.
“Ligji nuk i plotëson kërkesat e Lëvizjes Antibixhoz ose më mirë thënë nuk plotëson nevojën për mbrojtje totale nga plaçkitja permanente që i bëhet qytetarit dhe mbrojtje nga tragjeditë familjare. Ngel që të presim implementimin e këtij propozimi, informacion për llojin e distancës bëhet fjalë për vijë ajrore apo tokësore. Ne nga Lëvizja AntiBixhoz jemi për mbylljen totale të atyre objekteve”, tha Xhemal Abdiu nga Antibixhozi.
Në Nenin 24 të ligjit thuhet:
Propozim-ligjin e plotë mund ta lexoni KËTU.
Neni 193 thotë se: Ky ligj hyn në fuqi ditën e tetë nga dita e publikimit të tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Ndërkaq Neni 180 përcakton se organizatorët e lojërave të fatit janë të detyruar ta harmonizojnë veprimtarinë e tyre me dispozitat e ligjit brenda gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Nëse nuk e bëjnë këtë, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Financave, do t’ua heqë licencat me vendim.
Kujtojmë se ky propozim-ligj u zvarrit vazhdimisht, fillimisht pasi më 7 gusht 2025 u dorëzua në Kuvend pas miratimit nga Qeveria 16 korrik 2025, gati se një vit më vonë, në prill 2026 u tërhoq për precizim, ndërsa më pas u miratua përsëri më 12 maj nga Qeveria.Për këtë ligj, opozita vazhdimisht ka akuzuar se qeveria i mashtron qytetarët dhe se në praktikë kjo nuk do të zbatohet ashtu siç ata e promovojnë dhe se gënjejnë popullin.
Koalicioni VLEN i cili është në pushtet, ndryshe premtoi dhe ndryshe veproi. Ky koalicion para se të bashkohet në një parti, e ndërtoi identitetin e tij elektoral rreth premtimit radikal, mbylljen e të gjitha kazinove dhe largimin e bixhozit nga jeta e përditshme e qytetarëve.Përpjekje për të rregulluar industrinë e lojërave të fatit ka pasur disa herë në të kaluarën, përfshirë edhe gjatë qeverisjes së mëparshme LSDM–BDI.
Në mars të vitit 2024, Parlamenti nuk arriti të miratojë Ligjin për Lojërat e Fatit dhe Lojërat Argëtuese, i cili do të parashihte që objektet e lojërave të fatit të zhvendoseshin më shumë se 500 metra nga shkollat fillore dhe të mesme.
Kjo ishte përpjekja e dytë për të miratuar një zgjidhje ligjore pasi ligji u miratua nga deputetët më 7 shkurt, por Presidenti i atëhershëm i vendit, Stevo Pendarovski, nuk e nënshkroi Dekretin.