TV LIVE
Nga Bota
12 June 2026
Nga rihapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit te lehtësimi i sanksioneve, zbulohen pikat e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit për fundin e luftës

Protokolli i marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, të cilin Presidenti amerikan, Donald Trump pritet ta nënshkruajë së shpejti, parashikon rihapjen e plotë të Ngushticës së Hormuzit pa taksa, si dhe lehtësimin e sanksioneve kundër Iranit, në varësi të përpjekjeve të Teheranit për respektimin e marrëveshjes.

Sipas raportimit të Axios, që citon një diplomat anonim nga një vend ndërmjetësues dhe një zyrtar amerikan, teksti i protokollit do të zgjasë gjithashtu armëpushimin me 60 ditë, duke përfshirë edhe zonën e Libanit, për t’i hapur rrugë negociatave mbi programin bërthamor iranian.

Megjithatë, Irani ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për nënshkrimin e marrëveshjes. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqaei, deklaroi për mediat shtetërore se Teherani po shqyrton ende kushtet e propozuara.

Përgatitjet për ceremoninë e nënshkrimit duket se po avancojnë. Axios raporton se katër aeroplanë transporti të tipit C-17 të Forcave Ajrore Amerikane u nisën drejt Evropës me materiale logjistike, duke pritur një udhëtim të mundshëm të Zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance në Gjenevë. Ceremonia e nënshkrimit mund të zhvillohet brenda ditëve në vijim, nëse të dyja palët arrijnë marrëveshjen përfundimtare.



Të ndryshme
Më shumë