Ukraina ka nisur një nga sulmet më të mëdha me dronë që nga fillimi i luftës, duke synuar zonën e madhe të Shën Petersburgut, në atë që autoritetet ruse e kanë quajtur një operacion “të paprecedentë”.
Sipas Moskës, më shumë se 140 dronë ukrainas u rrëzuan mbi Oblastin e Leningradit, ndërsa Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmet kishin në shënjestër instalimet ushtarake dhe infrastrukturën detare ruse.
Sulmi ndodhi në ditën e fundit të Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut, eventi më i rëndësishëm ekonomik i Rusisë, i cili ka pritur mijëra pjesëmarrës nga më shumë se 130 vende.
Guvernatori i rajonit të Leningradit, Alexander Drozdenko, njoftoi se forcat kundërajrore qëlluan më shumë se 140 dronë, ndërsa një zjarr shpërtheu në një strukturë ushtarake, pa zbuluar vendndodhjen e saktë. Në të njëjtën kohë, banorët e zonës u evakuuan si masë paraprake, ndërsa u regjistruan dëme të kufizuara në ndërtesa.
Për herë të parë që nga fillimi i luftës, guvernatori i Shën Petersburgut, Alexander Beglov, u bëri thirrje qytetarëve të qëndronin në shtëpitë e tyre, pasi autoritetet ishin në gatishmëri të lartë.
Nga ana e tij, Volodymyr Zelensky pretendoi se dronët ukrainas udhëtuan rreth 1,000 kilometra për të goditur “arsenalet detare të armikut dhe një bazë në Krostan”, baza kryesore e Flotës Baltike Ruse.
Presidenti ukrainas e quajti operacionin një “përgjigje të drejtë” ndaj sulmeve ruse ndaj vendit të tij, duke shtuar se u godit edhe një depo nafte në rajonin e Krasnodarit, rreth 500 kilometra larg.
Forcat e armatosura të Ukrainës njoftuan se kishin goditur një depo nafte dhe terminal në rajonin e Leningradit gjatë natës.
Përshkallëzimi i ri vjen vetëm një ditë pasi Zelensky dhe Vladimir Putin u përplasën mbi mundësinë e negociatave të drejtpërdrejta. Presidenti ukrainas kishte bërë thirrje për armëpushim dhe një samit me homologun e tij rus, duke pretenduar se “ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës”.
Putin, duke folur në Forumin Ekonomik të Shën Petersburgut, e hodhi poshtë kërkesën, duke përsëritur se çdo armëpushim do t’i lejonte Ukrainës të riorganizohej ushtarakisht. Ai theksoi gjithashtu se lufta do të mbaronte vetëm kur të arriheshin qëllimet e Rusisë.
Sipas analistëve, forcat ukrainase kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe ushtarake ruse në muajt e fundit, duke përfituar nga zhvillimi i ndjeshëm i industrisë vendase të dronëve.
Që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022, Kievi ka investuar ndjeshëm në prodhimin e avionëve pa pilot, duke arritur tani të godasë objektiva thellë brenda territorit rus.