TV LIVE
Teknologji
1 June 2026
Huang: Nvidia dhe Microsoft po rishpikin PC-në pas 40 vitesh, çdo shtëpi do të ketë një superkompjuter AI

CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, u ngjit në skenë me xhaketën e tij karakteristike prej lëkure për të prezantuar risitë më të fundit të kompanisë së Inteligjencës Artificiale në konferencën vjetore GTC në Tajvan, e cilësuar shpesh si “Super Bowl-i i AI”.

Nga lavdërimet për vendlindjen e tij te një kompjuter i ri i zhvilluar me Microsoft dhe vizioni për agjentët e inteligjencës artificiale, këto janë pesë momentet kryesore të eventit në Taipei.

1. PC-ja e Inteligjencës Artificiale

Huang e ruajti njoftimin më të madh për fundin e prezantimit, duke zbuluar atë që ai e quajti “një epokë e re e PC-së”, të zhvilluar në partneritet me Microsoft. Sipas tij, kjo përfaqëson “rishpikjen më të madhe të kompjuterit personal në 40 vitet e fundit”. “Microsoft dhe Nvidia po rishpikin desktopët, laptopët dhe stacionet e punës. Është rishpikja e parë e kësaj shkalle që ka ndodhur në 40 vjet”, tha Huang.

Drejtuesi i Nvidia-s tha se beson se, ashtu si shtëpitë sot kanë lavatriçe apo pjatalarëse, një ditë ato do të kenë edhe superkompjuterë të Inteligjencës Artificiale si pjesë të jetës së përditshme.

“E imagjinoj një të ardhme ku në shtëpinë tuaj do të keni një superkompjuter AI që drejton agjentë inteligjentë. Me kalimin e kohës, ai do të bëhet më shumë si R2-D2 për ju sesa një kompjuter i zakonshëm,” tha ai. Kompjuterët e rinj do të funksionojnë me RTX Spark, një “superçip” i ri që bashkon agjentët AI, krijimin e përmbajtjes dhe videolojërat në një pajisje të vetme portative.

Laptopët e parë me RTX Spark pritet të dalin në treg këtë vjeshtë, megjithëse çmimi nuk është bërë ende publik. Huang zbuloi gjithashtu se Adobe po rindërton programet e saj kryesore, si Adobe Photoshop dhe Adobe Premiere Pro, për të përfituar nga arkitektura e RTX Spark.

2. Agjentët AI në qendër të vëmendjes

“Sot ka mbërritur Inteligjenca Artificiale agjentike dhe e dobishme,” deklaroi Huang në fillim të prezantimit.

Agjentët AI ishin tema dominuese e konferencës. Në teori, këta agjentë janë krijuar për të vepruar në mënyrë autonome, duke ndihmuar përdoruesit pa pasur nevojë për udhëzime të vazhdueshme njerëzore. Ata mbledhin të dhëna dhe përshtatin sjelljen e tyre sipas preferencave të përdoruesit.Megjithatë, teknologjia ende nuk ka arritur nivelin e plotë të autonomisë dhe vazhdon të kërkojë ndërhyrje njerëzore në shumë raste.

3. Ekonomia e AI-së dhe “super-agjentët”

Huang shfaqi optimizëm të madh për potencialin ekonomik të inteligjencës artificiale, duke folur gjerësisht për atë që ai i quajti “super-agjentë”.

Sipas tij, këto sisteme mund të shndërrohen në gjeneratorë fitimi për bizneset. “Fuqia llogaritëse është të ardhurë. Sa më shumë të blesh, aq më shumë fiton,” tha ai.

“Të gjithë po e përjetoni këtë bashkë me mua. Të gjithë duan të fitojnë para. Tashmë e kuptojnë se AI fitimprurëse është këtu dhe kërkesa për kapacitete llogaritëse është jashtëzakonisht e lartë. Le të ndërtojmë fabrika AI në mbarë botën.” Për të mundësuar funksionimin e këtyre agjentëve me shpejtësi më të lartë, Nvidia prezantoi Vera, një klasë të re procesorësh që sipas kompanisë mundëson përfundimin e detyrave 1.8 herë më shpejt.Huang e përshkroi Vera si një CPU për agjentët AI dhe madje e quajti atë “thyerjen e fundit të madhe në shkencat kompjuterike”.

Një nga elementët e paktë të qëndrueshmërisë që u përmend gjatë prezantimit ishte fakti se arkitekturat Rubin GPU dhe Vera CPU janë projektuar për ftohje të plotë me lëng. Sipas Nvidia-s, sistemi eliminon nevojën për kabllo, tuba dhe ventilatorë tradicionalë.

4. AI nuk po ua merr vendet e punës programuesve

Huang e nisi konferencën duke hedhur poshtë pretendimet se Inteligjenca Artificiale po zëvendëson inxhinierët e softuerit. Sipas tij, ideja se AI po eliminon vendet e punës në këtë sektor është “një absurditet i plotë”. Ai argumentoi se industria po punëson më shumë programues se më parë. Kreu i Nvidia-s ka përsëritur shpesh se rreziku real nuk është që inteligjenca artificiale të marrë vendin e punës së dikujt, por që ai vend të merret nga një person që di të përdorë AI në mënyrë më efektive.

5. Një mbyllje paksa e sikletshme

Prezantimi dyorësh përfundoi me një video të krijuar nga Inteligjenca Artificiale, ku robotë virtualë shëtisnin në tregjet e natës në Taipei dhe këndonin një këngë për njoftimet kryesore të konferencës. Megjithëse grafika ishte mbresëlënëse, momenti u perceptua nga shumë të pranishëm si disi i sforcuar dhe i sikletshëm, duke i dhënë eventit një fund jo aq elegant sa risitë teknologjike që u prezantuan gjatë ditës.



Të ndryshme
Më shumë