Ish kryeministri Lubço Georgievski në deklaratën e tij më të fundit ka shprehur qëndrime të forta lidhur me situatën aktuale politike dhe rolin e bllokut politik shqiptar në vend.
Sipas tij, politika shqiptare në Maqedoni ka pësuar një evolucion serioz dhe aktualisht paraqet një garantues kyç për ruajtjen e kursit gjeopolitik të shtetit.
Georgievski thekson se me kënaqësi e ndjek pjekurinë politike te shqiptarët në shtet, duke nënvizuar se ata janë shndërruar në një forcë serioze shtetformuese që sipas fjalëve të tij, “tejkalon një pjesë të madhe të subjekteve politike vendase”.
”Sot gëzohem që ka një evolucion shumë serioz të faktorit shqiptar në Maqedoni. Unë sot te faktori shqiptar me kënaqësi shoh një strukturë shtetformuese, madje shumë më të fortë se shumë struktura në faktorët politikë maqedonas”, ka thënë Georgievski.
Në deklaratën e tij, ai madje paralajmëron mbi rreziqet nga ndikimet rajonale, duke potencuar veçanërisht konceptin e të ashtuquajturës “botë serbe”.
Georgievski vlerëson se qasja shtet formuese e faktorit shqiptar është pengesa kryesore që Maqedonia të mos bjerë nën ndikimin e plotë të këtij koncepti.
”Unë frikësohem se në këtë moment, po të mos ishte shtetformësia e shqiptarëve, ne do të fluturonim tashmë në botën serbe me njëqind për qind. Kështu që, me të vërtetë mund t’ju them lirshëm se sot shqiptarët e mbajnë Maqedoninë që të mos bashkohet me botën serbe”, ka thënë Georgievski. Ky qëndrim i tij pritet të hapë debat mbi dinamikën e brendshme politike dhe ndikimet e jashtme përmes faktorëve politikë në vend.
Ndikimi serb ishte një nga format e instaluara, veçmas në periudhën e BDI-së përmes Ballkanit të Hapur si një projekt që i shërbeu Aleksandar Vuçiqit duke u përpjekur ta shesë dominimin serb në rajon si bashkëpunim ekonomik po dhe lidhje tjera politike e biznesore për të cilat asnjëherë nuk dhanë shpjegime.