TV LIVE
Nga Vendi
28 May 2026
Jon Selimi: Zëri i studentëve shqiptarë po dëgjohet edhe ndërkombëtarisht

“Disa javë më parë, në kulmin e shqetësimeve tona si studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, kontaktova aktivistin e njohur shqiptaro-amerikan dhe mikun e familjes sime, z. Ilir Zenku. Bashkë nisëm të hartojmë një letër zyrtare drejtuar Kongresmenit amerikan Keith Self, për ta informuar mbi diskriminimin institucional që po u bëhet studentëve shqiptarë lidhur me moszbatimin e Ligjit për Gjuhët”, ka shkruar në Facebook Jon Selimi.

Sipas tij, pasi letra ishte lexuar nga Ilir Zenku, reagimi i tij kishte qenë i drejtpërdrejtë:

“Ky është tentim për të fshirë një civilizim. Ata do të dështojnë.”

Selimi thekson se në atë moment kishte kuptuar se zëri i studentëve shqiptarë kishte kaluar kufijtë e protestës studentore dhe kishte filluar të dëgjohej edhe ndërkombëtarisht.

Ai shton se pas kësaj kanë vazhduar protestat, organizimet, takimet dhe aktivitetet publike, ndërsa paralelisht studentët kanë vendosur të përdorin çdo mekanizëm demokratik dhe ligjor në dispozicion.

“Lëvizja jonë nuk di vetëm të protestojë, di edhe të komunikojë, të argumentojë dhe të ndërtojë ura institucionale”, shkruan më tej Selimi.

Sipas tij, pasi morën informacion se Keith Self do të vizitonte Ballkanin, studentët u angazhuan maksimalisht që zëri i tyre të arrinte deri tek ai. Ai ka falënderuar për mbështetjen Gezim Rushiti dhe organizatën Albanians For America.

Selimi e ka cilësuar takimin me Kongresmenin amerikan si momentin më të rëndësishëm politik dhe diplomatik që ka arritur deri tani lëvizja studentore shqiptare.

Në takim, sipas tij, është diskutuar për arsyet e protestave, mënyrat konkrete për zgjidhjen e problemeve, moszbatimin e Ligjit për Gjuhët, shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit dhe marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoninë e Veriut.

“Ne nuk kërkojmë privilegje. Kërkojmë vetëm zbatim të ligjit, barazi dhe dinjitet”, është mesazhi që studentët shqiptarë thonë se kanë përcjellë gjatë takimit.

Në fund, Selimi thekson se kjo është vetëm një fazë e rrugëtimit të tyre dhe se do të vazhdojnë të përdorin çdo mekanizëm demokratik, institucional dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e të drejtave të studentëve shqiptarë.



Të ndryshme
Më shumë