TV LIVE
Nga Vendi
24 May 2026
BDI: Nga luksi në Mavrovë deri te bilbordet në qendër të Shkupit: Kush po i reklamon apartamentet e Nedim Ramës?

Derisa opinioni ende pret përgjigje se si drejtori i NOMAGAS, Nedim Rama, nga biznesi rent-a-car arriti deri te apartamentet luksoze në Mavrovë, ndërkohë që nuk ka paraqitur asnjë pronë në KSHPK, sot hapim edhe një pyetje tjetër të rëndësishme - rrjetin mediatiko-biznesor që qëndron pas promovimit dhe mbrojtjes së këtij kapitali.

 

Të rikujtojmë se, sipas dokumenteve publike dhe fletëve pronësore, Nedim Rama dhe L.H. lidhen me patundshmëri në Mavrovë, përkatësisht me apartamente të vendosura në një kompleks atraktiv turistik.

 

Bëhet fjalë për pronë që në publik promovohet si akomodim luksoz, ndërsa ngre pyetje serioze për prejardhjen e kapitalit, sidomos duke pasur parasysh se një drejtor i një kompanie shtetërore nuk ka deklaruar asnjë pronë në fletën anketuese pranë KSHPK-së.

 

Por historia nuk mbaron këtu.

 

Përveç se ndajnë pronë të përbashkët në Mavrovë sipas fletës pronësore, L.H. përmes kompanisë “Vision Media” reklamon pikërisht apartamentet e Nedim Ramës.

Dhe jo kudo!

 

Reklamat transmetohen në qendrën më të frekuentuar të Shkupit - në video-bim digjital në sheshin “Maqedonia”, hapësirë me dukshmëri dhe ndikim të jashtëzakonshëm.

 

“Vision Media” është kompani për reklamim digjital në pronësi të L.H. dhe “Strato Consulting”. Ndërsa pronar i “Strato Consulting” është B.M. - themelues i një portali të afërt me Izet Mexhitin.

Pikërisht ai portal është një nga mediat që reklamohet vazhdimisht në këto video-bime.

 

Dhe këtu shtrohet pyetja: A bëhet fjalë për bashkëpunim të rastësishëm biznesor apo për një rreth të mbyllur ndikimi biznesor, mediatik dhe politik?

 

Sepse dokumentet tregojnë diçka shumë interesante. Sipas raportit të përgjithshëm financiar me specifikim të të hyrave dhe shpenzimeve nga llogaria transaksionale për zgjedhjet lokale të vitit 2025, koalicioni VLEN shumicën e mjeteve për reklamim në ueb-portale ia ka paguar pikërisht këtij portali. Për hapësirë reklamuese, portali ka marrë 580.820 denarë.

 

Prandaj sot opinioni ka të drejtë të pyesë:

 

Sa të ardhura reale realizon Nedim Rama nga dhënia me qira e apartamenteve luksoze në Mavrovë? A munden këto të ardhura ta arsyetojnë këtë fushatë të shtrenjtë dhe intensive reklamuese në një nga lokacionet më të ekspozuara dhe më të kushtueshme në qendër të Shkupit?

 

A deklarohen dhe tatimohen rregullisht sipas ligjit të ardhurat nga dhënia me qira e apartamenteve luksoze në Mavrovë apo bëhet fjalë për praktika që mund të nënkuptojnë punë në dëm të buxhetit shtetëror?

 

Nga cilat burime financohet ky reklamim dhe a qëndron pas tij një model klasik biznesi apo diçka shumë më e gjerë - një rreth i mbyllur interesash financiare, mediatike dhe politike?

 

A janë apartamentet luksoze në Mavrovë vetëm biznes turistik - apo pjesë e një rrjeti më të gjerë ndikimi, parash dhe lidhjesh politike?

 

Dhe në fund - kush qëndron pas kapitalit, ndikimit dhe mbështetjes mediatike që sillet rreth Nedim Ramës?

 

U bëjmë thirrje institucioneve të mos heshtin. Presim që rrjedhat financiare, lidhjet pronësore dhe raportet politiko-mediatike të hetohen në detaje.

 

Qytetarët meritojnë përgjigje.



Të ndryshme
Më shumë