Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se më 6 qershor do të hapen qendrat e votimit në 30 përfaqësi diplomatike të shtetit të Kosovës, për të mundësuar pjesëmarrjen e diasporës në zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Sipas tij, në këtë proces do të kenë mundësi të votojnë më shumë se 27,724 shtetas të Kosovës të regjistruar për votim jashtë vendit.
Elezi sqaroi se votimi do të zhvillohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata të shpërndara në 18 shtete të ndryshme, duke nisur sipas zonave kohore nga Turqia dhe më pas në vendet e Evropës, ndërsa i fundit do të përfundojë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Sipas KQZ-së, fillimisht ishte planifikuar që votimi të organizohej në 48 përfaqësi diplomatike, por numri është reduktuar në 30, pasi në 18 prej tyre numri i votuesve të regjistruar ishte nën 50.
“Kur numri i votuesve të regjistruar është nën 50, votimi fizik nuk organizohet dhe ata kalojnë automatikisht në votim përmes postës”, sqaroi Valmir Elezi.
Ai shtoi se votuesit në këto raste janë njoftuar nga KQZ dhe kanë të drejtë të votojnë me postë, proces që ka nisur më 21 maj dhe përfundon më 6 qershor.
Në total, rreth 105 mijë qytetarë janë regjistruar për votim përmes postës, ndërsa votimi fizik në përfaqësi diplomatike zhvillohet një ditë para zgjedhjeve në Kosovë, më 6 qershor.