TV LIVE
Nga Bota
20 May 2026
BE dhe PE arrijnë marrëveshje për paktin tregtar me SHBA-në

Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) dhe Parlamenti Evropian kanë arritur një marrëveshje të përkohshme për dy rregullore që zbatojnë elementet tarifore të marrëveshjes tregtare BE-SHBA të arritur vitin e kaluar.

“BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë marrëdhënien ekonomike më të madhe dhe më të integruar në botë”, tha Michael Damianos, ministri i Energjisë, Tregtisë dhe Industrisë i administratës greko-qipriote.

Ai shtoi se marrëveshja siguron “mekanizma të fortë mbrojtës për të qenë në gjendje të mbrojmë interesat, bizneset dhe punëtorët evropianë”.

Sipas marrëveshjes së arritur në Skoci korrikun e kaluar, BE-ja pranoi të heq detyrimet e importit për mallrat industriale amerikane dhe të japë qasje preferenciale për produktet bujqësore dhe detare amerikane. Në këmbim, SHBA-ja do të vendosë tarifa prej 15 për qind për shumicën e mallrave të BE-së.

Trump ka deklaruar se do të vendosë tarifa shumë më të larta për mallrat e BE-së, përfshirë makinat, nëse BE-ja nuk zbaton angazhimet e marrëveshjes tregtare deri më 4 korrik. Ai më herët kërcënoi për rritje të tarifave për importet e makinave nga BE-ja në 25 për qind.

Rregullorja e parë heq detyrimet doganore të mbetura për mallrat industriale amerikane dhe jep qasje preferenciale, përfshirë kuotat tarifore dhe tarifat e reduktuara për disa produkte detare dhe produkte bujqësore jo-sensitive.

Rregullorja e dytë zgjat pezullimin e detyrimeve për importet e karavidheve, përfshirë produktet e përpunuara.

Marrëveshja përfshin një mekanizëm mbrojtës që i lejon BE-së të veprojë në rast të një rritjeje të konsiderueshme të importeve nga SHBA-ja që mund të dëmtojë prodhuesit vendas.

Ajo gjithashtu forcon dispozitat që i mundësojnë Komisionit Evropian të pezullojë rregulloren nëse SHBA-ja nuk përmbush angazhimet sipas deklaratës së përbashkët ose pengon marrëdhëniet tregtare, përfshirë përmes masave diskriminuese ndaj operatorëve të BE-së.

Është përfshirë edhe një klauzolë skadimi, që do të thotë se rregullorja do të skadojë në fund të vitit 2029, përveç nëse zgjatet.

Marrëveshja gjithashtu parashikon monitorim të rregullt të ndikimit ekonomik të saj, me Komisionin Evropian që duhet të raportojë mbi zhvillimet tregtare dhe të vlerësojë efektet e masave, përfshirë ndikimin mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

“Një marrëveshje është marrëveshje dhe BE-ja i respekton angazhimet e saj”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në rrjetin social amerikan X.

Ajo shtoi se marrëveshja do t’i lejojë BE-së të përmbushë pjesën e saj të deklaratës së përbashkët dhe u bëri thirrje bashkëligjvënësve “të lëvizin shpejt dhe ta finalizojnë procesin”.

“Së bashku, mund të sigurojmë tregti transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme, të balancuar dhe reciprokisht të dobishme”, tha ajo.

Pasi të finalizohen, rregulloret do të duhet të miratohen zyrtarisht nga të dy institucionet përpara se të hyjnë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare. përcjell  Zhurnal.mk .



Të ndryshme
Më shumë