Një pllakë ari e vlerësuar në 4,5 milionë denarë është sekuestruar në një aksion të zyrtarëve doganorë gjatë daljes nga shteti në pikën kufitare Bogorodicë. Rasti u zbulua pasi një autobus që qarkullonte në linjën Gostivar– Stamboll u veçua për kontroll, transmeton Portalb.mk.
Më pas, për shkak të dyshimeve të bazuara, u krye një kontroll i detajuar ndaj një udhëtari, shtetas i Maqedonisë së Veriut. Gjatë kontrollit, në njërën nga këpucët e tij u gjet një pllakë ari me peshë 848 gramë, e mbështjellë me letër të bardhë.
Autori, i cili e kishte mbajtur pllakën në xhaketë, për ta kontrabanduar atë, pak para kontrollit e kishte fshehur në këpucë.
Kundër autorit, nga Departamenti i Hetimeve pranë Sektorit për Kontroll dhe Hetime, në prokurorinë themelore publike në Gjevgeli është ngritur kallëzim penal për veprën penale “kontrabandë”, e dënueshme sipas Kodit Penal.