TV LIVE
Nga Vendi
19 May 2026
Meidani: Kërkesat për dinjitet dhe barazi nuk duhet të shihen si kërcënim

Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani ka reaguar në Facebook lidhur me ndalimet dhe vonesat ndaj studentëve shqiptarë nga Shqipëria në kufirin me Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, studentët kanë udhëtuar për të shprehur solidaritet për të drejtat gjuhësore dhe për të mbështetur përdorimin e gjuhës amtare në testim dhe profesion. Ai thekson se kërkesat për dinjitet, barazi dhe respektim të të drejtave themelore nuk duhet të interpretohen si kërcënim.

“Kur studentë ndalohen, vonohen dhe intimidohen teksa udhëtojnë për të shprehur paqësisht solidaritet për një të drejtë gjuhësore, çështja pushon së qeni vetëm procedurale. Ajo prek vetë mirëkuptimin demokratik dhe frymën europiane që synojmë të ndërtojmë si rajon. Studentët shqiptarë nga Tirana udhëtuan drejt Republikës së Maqedonisë së Veriut jo për përplasje, por për solidaritet qytetar dhe për të mbështetur një kërkesë elementare: të drejtën për t’u testuar dhe për të ushtruar profesionin në gjuhën amtare. Këta të rinj nuk kërkojnë privilegje. Kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për të drejtat themelore. Dhe një kërkesë për dinjitet nuk duhet të perceptohet kurrë si kërcënim, sidomos në vende që synojnë t’i bashkohen familjes europiane dhe të ndërtojnë të ardhmen mbi vlerat e demokracisë, barazisë dhe të drejtave themelore”, ka shkruar ambasadori Meidani.



Të ndryshme
Më shumë