TV LIVE
Teknologji
19 May 2026
Tirana College of Technology mbyll edicionin e parë të konkursit TCT Energy Challenge 1/ 2026, triumfon idea inovative e tre maturanteve për filtrimin e ajrit

Një projekt gjenial që lufton ndotjen e ajrit përmes teknologjisë dron dhe filtrave inteligjentë ka rrëmbyer vendin e parë në edicionin e parë të konkursit "TCT Energy Challenge" 1/2026, të organizuar këtë të shtunë nga Tirana College of Technology (TCT).

I pagëzuar me emrin FSDA (Filtri Satelitor Droni i Ajrit), ky projekt është fryt i punës së një grupi prej tri vajzash maturante nga shkolla Gjergj Pekmezi, Pogradec. Në qendër të idesë së tyre është një zgjidhje sa ekologjike, aq edhe teknologjike: Një sistem që monitoron ndotësit e ajrit në kohë reale dhe bën filtrimin e tij në mënyrë sa më efikase, duke minimizuar konsumin e energjisë.

Përveç trofeut dhe vlerësimit maksimal nga juria, vajzat u shpërblyen me 1,500€ dhe bursë 100% studimi për një nga programet që Tirana College of Technology ofron. Por,inovacioni i tyre shkon përtej suksesit personal: Shkolla e mesme nga e cila vijnë vajzat fituese do të përfitojë instalimin e plotë të një sistemi panelesh diellore 10KW, duke e shndërruar projektin e tyre për ajër të pastër në një burim të madh e të qëndrueshëm energjie për të gjithë komunitetin.

Në këtë kompeticion morën pjesë dhjetëra maturantë nga e gjithë Shqipëria, të cilët dëshmuan se si inovacioni dhe energjia mund të bashkohen për të transformuar të ardhmen teknologjike.

Përballë një jurie ekspertësh të përbërë nga Prof. Dr. Andonaq Lamani, Dr. Gjergji Simaku, Prof. Asoc. Dr. Shkëlqim Gjevori, Prof. Dr. Pirro Cipo dhe Msc. Ing. Ilir Palushi, projekti i filtrimit të ajrit "FSDA" arriti të linte pas ide të tjera shumë të forta:

Vendi i Dytë (1,000€ dhe bursë 75%): U fitua nga shkolla e mesme profesionale për TIK “Hermann Gmeiner” me projektin "PowerCityAI". Kjo platformë përdor inteligjencën artificiale dhe energjinë e rinovueshme për të simuluar dhe menaxhuar një qytet smart, duke optimizuar burimet urbane.

Vendi i Tretë (500€ dhe bursë 50%): U fitua nga maturanti Bajram Çollaku nga shkolla Dhaskal Todri, Elbasan.

Gjatë sfidës u nda edhe një çmim inkurajues për shkollën "Zhani Ciko" nga Patosi. Kjo falë projektit "BioFuel Revolution" të maturantit Sokol Baxhia, i cili u vlerësua me një bursë studimi në një nga degët e inxhinierisë dhe teknologjisë në TCT.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Presidenti i TCT, Dr. Gjergji Simaku, theksoi rëndësinë e kauzave të tilla ku teknologjia takon energjinë:

"Energjia është baza, sepse pa zhvillime energjitike nuk mund të ketë progres teknologjik."

Ndërsa Rektori i TCT, Prof. Dr. Andonaq Lamani, i inkurajoi të rinjtë që të mos e ndalin rrugëtimin e tyre këtu:

"Pjesëmarrja është gjëja më e rëndësishme në një kompeticion, ju jeni të gjithë fitues. Studioni inxhinieri dhe teknologji, sepse kjo do t'ju sigurojë një të ardhme të sigurt."

Për Administratoren e TCT, Dr. Diana Biba, ky konkurs synon të nxisë mendimin kritik dhe frymën sipërmarrëse te brezi i ri. Ajo mirëpriti me kënaqësi të veçantë idetë e guximshme të maturantëve, duke rikonfirmuar misionin e kolegjit për të mbështetur liderët e së nesërmes.

Në mbyllje të aktivitetit, të gjithë maturantët pjesëmarrës u pajisën me certifikata vlerësimi për punën, pasionin dhe seriozitetin e treguar.

Suksesi i projektit "FSDA" për filtrimin e ajrit dëshmoi qartë potencialin e madh që ka rinia shqiptare për të ofruar zgjidhje globale mjedisore. Ky konkurs është vetëm hapi i parë i një vizioni që synon të kthehet në një traditë të përvitshme nga Tirana College of Technology, duke u shndërruar në pikëtakimin kryesor të inovacionit në Shqipëri.



Të ndryshme
Më shumë