Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka njoftuar eliminimin e Abu Bilal al-Minuki, të cilin SHBA-të e konsiderojnë si numrin dy të organizatës ISIS në nivel global. Sipas tij, operacioni është kryer nga forcat amerikane dhe nigeriane pas një aksioni të koordinuar ushtarak.
Me anë të një postimi në platformën Truth Social, Trump deklaroi se Abu Bilal al-Minuki, të cilin e cilësoi si “terroristin më aktiv në botë”, është vrarë gjatë një operacioni të planifikuar dhe ekzekutuar në bashkëpunim nga forcat e armatosura të SHBA-së dhe Nigerisë.
“Sonte, me urdhrin tim, forca të guximshme amerikane dhe Forcat e Armatosura të Nigerisë ekzekutuan në mënyrë të përsosur një mision të planifikuar me kujdes dhe shumë kompleks për të eliminuar nga fusha e betejës terroristin më aktiv në botë”, shkroi presidenti amerikan.
Sipas Trump, al-Minuki, i paraqitur si zëvendëskryetar i ISIS-it në nivel global, besonte se mund të fshihej në Afrikë, por shërbimet amerikane të inteligjencës po i ndiqnin lëvizjet e tij.
“Ai mendonte se mund të fshihej në Afrikë, por nuk e dinte se ne kishim burime që na mbanin të informuar për gjithçka që bënte”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se vrasja e tij përbën një goditje të rëndësishme për operacionet ndërkombëtare të ISIS-it, duke shtuar se “ai nuk do të terrorizojë më popujt e Afrikës dhe nuk do të ndihmojë më në planifikimin e operacioneve kundër amerikanëve”.
Në përmbyllje të deklaratës së tij, Trump falënderoi publikisht qeverinë e Nigerisë për bashkëpunimin në këtë operacion, duke e mbyllur postimin me frazën: "Zoti e bekoftë Amerikën".