TV LIVE
Nga Vendi
14 May 2026
Jorida Tabaku për protestën e studentëve: Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohen si qytetarë pa identitet dhe pa rrënjë

Deputetja shqiptare, Jorida Tabaku përmes një postimi në profilin e saj ka reaguar në mbështetje të protestës së thirur nga Studentëtë Shqiptarë duke shkruar se “Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohen si qytetarë pa identitet dhe pa rrënjë”,.

Ka momente në histori kur një popull nuk kërkon privilegje. Nuk kërkon favore. Kërkon vetëm të drejtën për të qenë vetvetja.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë të drejta që nuk mund të zhbëhen, nuk mund të relativizohen dhe nuk mund t’u hiqen nga askush. Kur takova Mevlanin para disa javësh në Tiranë, pashë tek ai jo zemërimin e një njeriu të revoltuar, por qetësinë dhe dinjitetin e një patrioti që lufton për diçka themelore: të drejtën për gjuhën amtare. Për të drejtën që një njeri të flasë gjuhën e nënës së tij pa frikë, pa paragjykim dhe pa u ndjerë i huaj në vendin e vet.

Sepse gjuha nuk është vetëm komunikim. Është kujtesë. Është identitet. Është historia që një popull ua lë brezave.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohen si qytetarë pa identitet dhe pa rrënjë. Europa që ne besojmë nuk ndërtohet duke heshtur përballë padrejtësive të vogla që me kohën bëhen plagë të mëdha. Integrimi europian nuk mund të jetë një fasadë që fsheh rrëshqitje drejt nacionalizmit apo cenimit të të drejtave themelore.

Prandaj mbrojtja e gjuhës amtare nuk është vetëm një çështje politike. Është një çështje dinjiteti njerëzor. Dhe protesta për këtë të drejtë është jo vetëm legjitime, por e drejtë. Një të drejtë që e mbështes me bindje të plotë.



Të ndryshme
Më shumë