Nuk kanë kaluar as disa ditë nga ardhja në detyrë e qeverisë së re në Bullgari, ndërsa marrëdhëniet mes Shkupit dhe Sofjes sërish janë tensionuar. Ministrja e re e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova, ka shkaktuar reagime në Maqedoninë e Veriut pasi në një deklaratë publike maqedonasit i quajti “veriomaqedonas”.
Pas kësaj deklarate, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme e Maqedonisë së Veriut e thirri ambasadorin bullgar në Shkup, Zheljazko Radukov, të cilit iu dorëzua një demarsh gojor.
Sipas MPJ-së, reagimi vjen pas përdorimit të shprehjes “partnerë veriomaqedonas” nga ana e ministres bullgare gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Nga Shkupi zyrtar vlerësojnë se bëhet fjalë për terminologji të papërshtatshme dhe jo korrekte, e cila nuk përputhet me komunikimin diplomatik dhe përdorimin zyrtar të emrit të shtetit.
Lidhur me rastin reagoi edhe ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, i cili sqaroi se nuk ka pasur takim bilateral me homologen bullgare, por vetëm një shkëmbim të shkurtër fjalësh në margjinat e takimit në Bruksel.
Mucunski theksoi se përdorimi i termit “veriomaqedonas” është i pasaktë dhe i papranueshëm në komunikimin zyrtar diplomatik.