Federata e Futbollit e Kosovës ka shënuar sot 10-vjetorin e pranimit në FIFA, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e futbollit kosovar.
Me këtë rast, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, e cilësoi anëtarësimin në FIFA si një triumf të madh për sportin dhe shtetin e Kosovës.
Në mesazhin e tij për përvjetorin jubilar, Ademi theksoi se më 13 maj 2016, Kosova u bë anëtarja e 210-të e organizatës më të madhe të futbollit botëror, duke hapur një epokë të re për futbollin kosovar.
Sipas tij, ky sukses erdhi pas shumë sakrificash, përkushtimi dhe besimi nga gjenerata të tëra që e mbajtën gjallë futbollin e Kosovës edhe në periudhat më të vështira.
Kreu i FFK-së kujtoi me respekt legjendën Fadil Vokrri, duke vlerësuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm në rrugëtimin drejt pranimit në FIFA dhe UEFA. Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj futbollit kosovar.
Ademi nënvizoi se sot FFK-ja është shndërruar në një institucion modern, me infrastrukturë në zhvillim të vazhdueshëm, ndërsa ekipet kombëtare dhe klubet kosovare përfaqësojnë vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare.
“Pranimi në FIFA ishte fillimi i një epoke të re. Vazhdojmë përpara me krenari dhe përgjegjësi, me futbollin për Kosovën”, thuhet në mesazhin e tij.
Në fund, Ademi uroi Kosovën për këtë përvjetor historik, duke e konsideruar dekadën në FIFA si një dëshmi të progresit dhe afirmimit ndërkombëtar të futbollit kosovar.