Komuna e Kërçovë ka publikuar shpërndarjen e buxhetit për kulturë për vitin 2026 në vlerë prej 9 milionë e 70 mijë denarësh, ndërsa mënyra e ndarjes së mjeteve ka nxitur reagime dhe debat në opinionin publik.
Sipas të dhënave, 7 milionë e 540 mijë denarë, apo 83.13% e buxhetit kulturor, janë ndarë për projektet maqedonase. Brenda kësaj shume, 1 milion e 800 mijë denarë janë ndarë për festën e Vitit të Ri, pa u dhënë më shumë detaje lidhur me mënyrën e shpenzimit të këtyre mjeteve.
Nga ana tjetër, për projektet kulturore shqiptare janë ndarë vetëm 1 milion e 460 mijë denarë, apo 16.10% e buxhetit total, ndërsa për komunitetin rom janë ndarë vetëm 70 mijë denarë ose 0.77%.
Këto shifra po shihen si një tjetër dëshmi e margjinalizimit të kulturës shqiptare në qytet. Pas humbjes së Komunës së Kërçovës nga shqiptarët, tani po shfaqen edhe pasojat konkrete, ku shqiptarët po përballen me diskriminim edhe në mbështetjen e projekteve kulturore.
Mosbalancimi i mjeteve dhe përqindja minimale e ndarë për kulturën shqiptare ka hapur debat në opinion mbi trajtimin e barabartë të komuniteteve dhe prioritetet kulturore të komunës.