Ish-anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-kryetari i Këshillit të Komunës së Kërçovës, Dr. Aqif Mehdiu, ka reaguar fuqishëm përmes një postimi publik për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit. Ai gjithashtu ka shtuar se dëgjojmë nga qeveria e re (për fat të keq edhe nga disa shokë tanë atje) se kjo marrëveshje nuk bën — jo që ta bëjnë më të mirë, por duan ta heqin krejt, sikur Maqedonia qenka vetëm e maqedonasve dhe këtu duhet të flitet vetëm sllavisht.
Postimi i plotë i Dr. Aqif Mehdiut:
“Nuk mundem të hesht e të rri rehat kur në vendlindjen time shkilet Marrëveshja e Ohrit nga qeveria aktuale në RMV! Si në çdo marrëveshje pas lufte, palët bëjnë kompromise dhe asnjëra palë nuk mbetet plotësisht e kënaqur.
Më kujtohet si sot kur u bë Marrëveshja në Ohër. Shqiptarët nuk ishin shtetformues në preambulën e Kushtetutës dhe ne nga terreni nënshkruam ankesë kundër marrëveshjes, sepse nuk ishim në preambulë si shtetformues.
Komandanti, me shokë, konsultohej direkt me NATO-n, SHBA-në dhe Europën, si dhe me nënshkruesit e marrëveshjes nga ana jonë (Arben Xhaferin dhe dr. Imer Imerin). Të gjithë këta thoshin se marrëveshja është e mirë, se do të ketë lehtësime për veteranët e UÇK-së, se pas demobilizimit do të marrim pjesë në polici, ushtri dhe kudo në shtet, në bazë të përqindjes së popullsisë.
‘Rrini pa gajle, sepse garantues të marrëveshjes pas luftës janë SHBA-ja, Europa dhe NATO-ja.’ Dhe kështu filloi demobilizimi.
Dhe ne të gjithë, pas komandantit, thamë dhe themi se Maqedonia është atdheu ynë. Tjetër atdhe nuk kemi; eshtrat e të parëve tanë aty i kemi. Dhe këtë atdhe e kemi mbrojtur me pushkë nga disa që donin ta copëtonin, edhe pse nuk jemi të barabartë me ‘branitellat’.
Tani dëgjojmë nga qeveria e re (për fat të keq edhe nga disa shokë tanë atje) se kjo marrëveshje nuk bën — jo që ta bëjnë më të mirë, por duan ta heqin krejt, sikur Maqedonia qenka vetëm e maqedonasve dhe këtu duhet të flitet vetëm sllavisht. Duke harruar se edhe ne jemi maqedonas, por shqiptarë.
Dhe kjo Marrëveshje ka dëshmorë, ka invalidë lufte, ka veteranë lufte dhe e ka komandantin e përgjithshëm HALA gjallë. Ndërsa garantues të marrëveshjes janë: NATO, SHBA dhe Europa.”